Veseli takon gastronomët, kërkon mbështetjen e të gjithëve për këtë sektor

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqin dhe Sarah Rexhepi Pulën.

Lajme

06/05/2020 17:16

Veseli thotë se pandemia dhe situata emergjente e kanë goditur më së shumti këtë sektor, duke rrezikuar falimentimin e shumë bizneseve, shkruan lajmi.net.

Ai më tutje ka treguar se PDK ka qenë e para që ka vendosur alarmin për pasojat ekonomike dhe ka propozuar pakon e plotë gjithëpërfshirëse prej 320 milionë euro.

Kreu i PDK-së thotë se të gjitha bizneset kanë nevojë për mbështetje dhe ka bërë thirrje që të mbështetet ky sektor.

Ky është postimi i Veselit:

Sot prita në takim Petrit Kllokoqin dhe Sarah Rexhepi Pulën nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, organizatë kjo që përfaqëson bizneset e shumta të kafiterive, klubeve dhe restoranteve. Ky sektor zë një peshë të madhe në ekonominë e vendit duke u radhitur gjithashtu si një ndër punëdhënësit kryesorë. Situata emergjente e pandemisë dhe masat që janë marrë gjatë kësaj periudhe, e kanë goditur më së shumti sektorin e gastronomisë, duke rrezikuar falimentimin e shumë bizneseve.

Partia Demokratike e Kosovës ka qenë partia e parë që ka vënë alarmin për pasojat e dëmshme ekonomike të pandemisë si dhe ka propozuar një paketë të plotë gjithpërfshirëse, me mbi 320 milionë euro, për të shpëtuar e rimëkëmbur ekonominë. Brenda paketës kemi parashikuar edhe mbështetjen e bizneseve të dëmtuara të gastronomisë, prandaj ajo duhet miratuar sa më shpejt nga Kuvendi i Kosovës. Mirëpo këto biznese kanë nevojë edhe për mbështetjen e të gjithë neve. Prandaj i bëj thirrje diasporës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që të mbështesin turizmin patriotik duke konsumuar kryesisht brenda në Kosovë gjatë sezonit turistik që po afrohet. /Lajmi.net/