“Nga njoftimi i Komunës së Prizrenit për tenderin për brendimin e qytetit lindin disa dilema serioze”

Komuna e Prizrenit ka publikuar një njoftim për opinionin publik lidhur me tenderin për “Brendimin e qytetit”, pas reagimit të publikuar nga EC Ma Ndryshe. Në këtë njoftim në vend të ofrimit të argumenteve lidhur me çështjet e shtruara nga EC-i, Komuna e Prizrenit konstaton pa të drejtë se ka devijime dhe dezinformim të publikut.

Lajme

30/04/2020 13:11

EC Ma Ndryshe konsideron se faktet janë më kokëforta, sesa përpjekjet e Qeverisë komunale për etiketime të paqëndrueshme, pa i kushtuar rëndësi peshës së fjalës së shkruar publike.

Në njoftimin e Komunës thuhet se procedurat e prokurimit organizohen dhe menaxhohen përmes platformës E-Prokurimi, si një obligim ligjor i të gjitha organizatave buxhetore, dhe se përveç kësaj, publikimi i njoftimeve bëhet edhe në ueb faqen e Komunës së Prizrenit, gjë që edhe cilësohet si përmbushje e premtimit të kryetarit të Komunës për transparencë në procedurat e prokurimit.

Në këtë rast, EC thekson se publikimi i njoftimeve të prokurimit në platformën E-Prokurimi është një detyrim ligjor dhe si i tillë është i domosdoshëm dhe i patejkalueshëm, pasi që njëra ndër funksionet që i janë dhënë Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik me ligj është krijimi dhe mirëmbajtja e faqes informative në internet që i ofron publikut qasje të pakufizuar për të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me prokurimin publik në Kosovë. Prandaj, EC-i në reagimin e vet të datës 29.04.2020 i është referuar mos publikimit me kohë të njoftimit për tenderin në fjalë nga Komuna e Prizrenit në ueb faqen e saj zyrtare, të cilën ajo vet e menaxhon, dhe duke qenë se nga vet Komuna konsiderohet si një premtim i realizuar.

Për çudi, njoftimi për tenderin në fjalë në ueb faqen e Komunës është publikuar më 15.04.2020 ( bashkangjitur njoftimi) derisa afati për pranimin e tenderëve ka qenë 06.04.2020. Pikërisht për këtë arsye EC ka shprehur qëndrimin se tenderi për brendimin e qytetit shpërfill zotimin për transparencë radikale në prokurim, dhe përsëri mbetet prapa këtij qëndrimi.

Më tej në njoftimin e Komunës shkruan se “Njoftimi për tenderin në fjalë nga Komuna e Prizrenit është publikuar si thirrje më 17 mars 2020 dhe pranimi i tenderëve ka qenë deri më 6 prill 2020. Mirëpo, pikërisht për arsyen se ky projekt ka qenë i hapur dhe transparent, Komunës së Prizrenit iu janë drejtuar shumë pyetje dhe kërkesa për sqarime shtesë. Për këtë arsye, në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik dhe rregulloret e LPP-së që sqarojnë afatet e shtyrjes së kohës së hapjes së tenderit, ky tender ka mbetur i hapur deri në datën 15 prill 2020, apo 9 ditë pas hapjes së tenderit në Zyrën e Prokurimit”. Edhe në këtë rast lindin disa dilema serioze. Si është e mundur që ky tender të mbetet i hapur deri në datën 15.04.2020 dhe në platformën E-prokurimi dhe në ueb faqen e Komunës së Prizrenit mos të ketë ndonjë njoftim shtesë lidhur me afatet e shtyrjes së kohës së hapjes së tenderit? Si është e mundur që ky tender të mbetet i hapur deri në datën 15.04.2020, apo 9 ditë pas hapjes së tenderit në Zyrën e Prokurimit, duke qenë se procesverbali i hapjes së tenderit me nënshkrimet e anëtarëve të komisionit të hapjes mban datën 06.04.2020, bashkangjitur procesverbali? Si është e mundur që ky tender të mbetet i hapur deri në datën 15.04.2020, dhe pikërisht në këtë datë, pra me 15.04.2020, Komuna e Prizrenit në ueb faqen e saj zyrtare të publikojë thirrjen për paraqitjen e ofertave, ani pse procesverbali i hapjes së tenderit mban datën 06.04.2020?

Përveç kësaj, Komuna e Prizrenit në njoftimin e saj për opinionin publik thotë se thirrja publike në fjalë dhe përcaktimi i paramasave është bërë në bashkëpunim me shoqërinë civile. EC edhe njëherë rikujton se dy javë më parë ka reaguar Rrjeti i Organizatave të Kulturës, duke theksuar se Komuna e Prizrenit çështjen e brendimit të qytetit e ka lënë në mëshirë të tenderëve, dhe ka kërkuar anulimin e tenderit. RrOK si bartëse e hartimit të Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike ka konsideruar se brendimi duhet të jetë një dokument i besueshëm, i matshëm dhe i prekshëm në mënyrë që të fuqizojë aspektin identitar të qytetit të Prizrenit, ashtu siç e përcakton edhe Plani i Menaxhimit. RrOK ka theksuar se Komuna e Prizrenit duhet të hartojë një proces gjithëpërfshirës të hartimit të procesit të brendimit të qytetit dhe jo ta reduktojë vetëm në një tender të formës së dizajnit grafik. Procesi i brendimit, sipas këtij rrjeti, duhet të jetë fillimisht proces i hapur e transparent me publikun dhe më pas të përfundojë apo kulmojë me interpretimin grafik të saj. (reagimi i plotë i RrOK-ut: https://ecmandryshe.org/?page=1,17,718#.XqaD_vRS-M8).

EC Ma Ndryshe sërish konsideron që procesi i deritanishëm i prokurimit për krijimin dhe mirëmbajtjen e brendit të qytetit të Prizrenit bie ndesh me praktikat e qeverisjes së mirë si dhe me dy zotimet paraelektorale të kryetarit të Komunës, konkretisht transparencën radikale në prokurim dhe implementimin e Planit të Menaxhimit për Qendrën Historike, prandaj dhe kërkon anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit, ashtu siç ka rekomanduar RrOK-u.

Gjithashtu EC Ma Ndryshe i bën thirrje Qeverisë komunale të Prizrenit që të heq dorë nga gjuha paternaliste dhe etiketuese, me anë të cilave synon që ta shtyp secilën vërejtje apo kritikë që i adresohet. Në vend të kësaj gjuhe, Qeveria komunale duhet të përqendrohet në përmbushjen e zotimeve parazgjedhore në të gjitha fushat e qeverisjes lokale. /Lajmi.net/