Cavani i ofrohet Interit

Edinson Cavani i është ofruar skuadrës së Inter.

Sport

27/04/2020 17:30

Ylli i Paris Saint Germain, Cavani, thuhet t’i jetë ofruar skuadrës së Inter, duke u cilësuar si një zëvendësues për Alexis Sanchez.

Inter janë duke shikuar që të kthejnë Sanchez te Manchester United, pas një sezoni të dominuar nga lëndimet.

‘Gazzetta dello Sprot’ shkruan se si Cavani iu ishte propozuar ‘Nerazzurri’ nga përfaqësuesit e tij, transmeton lajmi.net.

Uruguaiani mund t’i bashkohet skuadrës së Inter, pasur parasysh se kontrata e tij me PSG skadon më 30 qershor të këtij viti.

Lojtari mund të kalojë tek Inter si një lojtar i lirë. Megjithatë, thuhet se ekziston mundësia që PSG t’i ofrojë lojtarit një kontratë deri në vitin 2022.

Cavani nuk do të ishte ‘i huaj’ në Serie A, pasi ai ka shënuar mbi 100 gola në atë ligë, me Palermo dhe Napoli, mes viteve 2007 dhe 2013. /Lajmi.net/