Mbijetesa: Versioni 2020
Shkruan: Blerim Shala
Opinion
Në rrethana krejtësisht tjera, me një sfidë shumë të ndryshme, sërish na është kthyer ai koncepti i braktisur tashmë (në fund të luftës) i mbijetesës si orientim themelor.
Si Kosovë, si shtet, si politikë dhe si shoqëri, si qytetarë, tek e fundit, së paku në këto rrethanat e tashme, jemi krejtësisht të barabartë me SHBA-në, Evropën dhe Botën, në ballafaqimin e kërcënimin e madh, gjithëpërfshirës të Covid-19.
Rreziku është i njëjti. Frika është e njëjta. Nuk di kush aktualisht, çka do të ndodhë nesër ose pas një jave dhe pas një muaji, kur dhe si kjo Pandemi do të mund të zbutej dhe zbehej, si do të mbërrimë me 31 dhjetor të këtij viti, cilat do të jenë pasojat për secilin prej nesh, për shoqëritë tona, për ekonomitë tona.
Për dallim prej luftës, kur ata të goditurit, qytetarët e thjeshtë, mund edhe të shpëtojnë diqysh diku u bërë refugjatë që gjejnë strehim diku jashtë, në ndonjë vend tjetër, kësaj radhe, ‘Vija e Frontit’ është gjithandej, nuk ka vend për t’i ikur më të keqes, apo, këtë ‘luftë’ shumë të veçantë, duhet ta fitojmë secili (prej shteteve), veç e veç, nëse duam të shpëtojmë dhe të fitojmë të gjithë së bashku, si njerëzim.
Nuk mbahet në mend, realisht, kur njerëzimi ka qenë kështu i bashkuar: Në frikë, në luftë, në shpresë.
Megjithëse shkalla e vdekshmërisë është tutje e ulët, në krahasim me sëmundjet simotra të Coronavirusit, bëhet fjalë për një kërcënim me vdekje, apo, në pyetje është mbijetesa, në variantin më të keq, të miliona vetave.
Shqiptarët e Kosovës në historinë e tyre gati njëshekullore (deri në përfundimin e luftës së mbramë, në qershorin e vitit 1999-të), thuaja e patën përsosur ‘Artin e mbijetesës’.
Është thënë edhe më parë, me saktësi të qind për qindtë dhe më konfirmim të shumëfishtë, që Mbijetesa ka qenë Projekti më i suksesshëm politik i shqiptarëve të Kosovës për njëqind vjet të tëra, kur dihet sa herë iu është kërcënuar shfarosja apo zhdukja në këto anë, në Kosovë.
Në vitet e nëntëdhjeta, të okupimit të egër, shqiptarët e Kosovës e kishin parimin e jetës që njihte vetëm të sotmen si njësi matëse. Nuk dinte, kush prej nesh, çka do të ndodhë nesër. Një shtet tjetër (Serbia), ishte pronare e jetës sonë, e secilit prej nesh.
Patëm krijuar një Botë Paralele, e cila herët a vonë (siç edhe do të ndodhë më pas), duhej ta zhbënte dhe ta largonte prej këtu atë Botën e imponuar nga një shtet tjetër.
Në rrethana krejtësisht tjera, me një sfidë shumë të ndryshme, sërish na është kthyer ai koncepti i braktisur tashmë (në fund të luftës) i mbijetesës si orientim themelor.
Kush ka mundur ta paramendojë këtë njëzet vjet më parë këtupari.
Nuk kemi tjetër: Duhet të mbijetojmë. Edhe një herë.
Mbetja gjallë e secilit prej nesh, së paku kur bëhet fjalë për rrezikun nga Covid-19, është detyrë dhe obligim i secilit individ, i familjes, i shoqërisë së tërë.
Në anën tjetër, kjo Pandemi siç po kuptohet përditë dhe më shumë, do të na godet në të gjitha format dhe trajtat e mundshme.
Shtetet më të zhvilluara në Botë, në anën Perëndimore të saj, po injektojnë qindra miliarda euro dhe dollarë për ta mundësuar mbijetesën ekonomike dhe sociale të tyre, sepse pasojat në këtë dimensionin ekonomik dhe social, do të jenë të mëdha, me përmasa madje katastrofale.
Shembullin e tyre do të duhej ta përqafonim edhe ne në Kosovë. Sivjet do të kemi probleme të shumta ekonomike. Mund të llogaritet qysh tash që paratë/ nidhmat e familjarëve tonë nga Diaspora do të ulen në mënyrë të ndjeshme, ndërsa edhe ardhja e zakonshme e qindra mijëra shqiptarëve në Kosovë gjatë pushimeve të verës, së paku nga perspektiva e sotme, është nën pikëpyetje.
Është e domosdoshme qysh tash, të bëhet një Analizë e plotë e të gjitha efekteve negative të kësaj krize të madhe shëndetësore, për anën ekonomike dhe sociale të vendit. Nuk kemi ne miliarda rezervë të cilat do të mund t’i shpërndanim në ekonominë e vendit. Kemi shumë më pak. Sivjet megjithatë, nuk do të jetë rendi i shfrytëzimit të buxhetit të Kosovës për projektet kapitale. Në këtë mënyrë, do të mund të krijohej një Fond i veçantë, prej diku 500 milionë Euro, i cili do të duhej i tëri të shfrytëzohej për uljen e dëmeve të cilat do të na i shkakton si shoqëri dhe si ekonomi, të gjithë neve.
(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)