Kurti për Euronews: Shkëmbimet territoriale janë recetë për konflikte të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur edhe njëherë qëndrimin se Kosova nuk mund të përfshihet në shkëmbim territoresh.

Lajme

29/02/2020 08:06

Në një intervistë për Euronews, tha se prekja e territoreve mund të nxisë më shumë konflikte sesa të ofroj paqe.

“Kosova nuk mund të përfshihet kurrsesi në të ashtuquajturin shkëmbim territoresh. Të gjitha projektet e ngjashme në të kaluarën kanë dështuar dhe do të dështojnë në të ardhmen po ashtu veçanërisht tani që në pushtet jemi ne. Shkëmbimet territoriale janë receta për të nxitur më shumë konflikte jo për paqe të cilën ne kemi nevojë”, theksoi Kurti.

Ai, po ashtu tha se pret një angazhim të shtuar të përfaqësuesit të BE-së për Politikën e Jashtme, Joseph Borrell, në zgjidhjen e problemeve në Ballkanin Perëndimor.

“Për hir të zgjidhjes evropiane, mbase ai duhet t’i japë një perspektivë të re problemeve të Ballkanit Perëndimor. Kushdo që mohon këtë realitet ose mundohet të sjellë ndonjë lloj zgjidhje pa njohjen e këtij shteti dhe vullnetit të njerëzve këtu nuk do përfitojë asgjë më shumë përveçse të dëmtojë vetveten”, është shprehur Kryeministri i Kosovës.

Albin Kurti mori detyrën si kryeministër i vendit në fillim të shkurtit. Partia të cilën e drejton, Lëvizja Vetëvendosje, lidhen koalicion me LDK-në për të bashkëqeverisur me vendin.