Gjoshi: Kurti e lexoi letrën e Thaçit me NATO-n me syzat e Vuçiqit
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi ka komentuar mbi pretentimet e Kurtit se presidenti Thaçi në vitin 2013 kishte nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me NATO-n.
Lajme
Gjoshi është shprehur se ajo letër është fakt për raportet strategjike të Kosovës me NATO-n, por kryeministri Kurti e ka lexuar me syzet e Aleksandër Vuçiqit.
Ky është postimi i plotë i Gjoshit:
Aleancën Shqiptare me Perëndimin nuk guxon ta rrezikojë Albin Kurti
Është për të ardhur keq kur shihja sot Kryeministrin e vendit tim se si vraponte për në konferencën e jashtëzakonshme për medie, për të shfaqur para popullit zbulimin e “sekretit më të madh të botës”.
Ai doli sot dhe “zbuloi” se një marrëveshje ia paska dhënë dikush dhe se kjo marrëveshje, sipas tij, është fundi ynë.
Fatkeqësisht për vendin tonë – kështu duket një marrëveshje për Kryeministrin tonë që nuk di ta lexojë drejtë.
Ajo letër është një fakt për raportet jashtëzakonisht strategjike të Kosovës me NATO’n, me aleancën perëndimore. Por, mjerisht kryeministri ynë po lexon me syzet e Aleksandër Vuqiqit.
Albin Kurti nuk guxon ta rrezikojë Aleancën Shqiptare me Perëndimin, e cila nuk është vetëm e Kosovës, por e të gjithë shqiptarëve.
Albin Kurti mund të rrezikojë vetëm seriozitetin e tij dhe të thërras konferenca të jashtëzakonshme sa herë të mundet e të na flasë për Kalashët. /Lajmi.net/