(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)
Punët e pakryera të shtetit të Kosovës
87 vjet e kemi synuar lirinë. 18 vjet kemi pritur shtetin e Kosovës. 12 vjet pas shpalljes së këtij shteti, ende jemi larg sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjate të tij.
Opinion
Shkruan: Blerim Shala
17 shkurti i vitit 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Kosovës, ka qenë kulmi i një Lëvizjeje politike dhe ushtarake të shqiptarëve për çlirimin dhe mëvetësinë e Kosovës.
Kështu mori fund një histori e gjatë dhe tragjike e shqiptarëve të Kosovës, e cila nisi me syrgjynosjen e tyre nga historia kombëtare, në vitin 1912, kur mbetën jashtë shtetit të Shqipërisë.
Njëkohësisht, kjo ditë ka vënë themelet e një organizimi politik dhe shoqëror të qytetarëve të Kosovës, ku përmes shtetit, si një shtëpi e gjithë një populli, është synuar të ofrohet siguri, stabilitet, mirëqenie, qëndrueshmëri të qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit të tyre.
Kështu duhej të niste shndërrimi i shtetit të Kosovës në një shtet me vlera supreme politike, ekonomike, sociale, qytetëruese evropiane dhe perëndimore, kur dihej që kosovarët ishin populli më pro-evropianë, më pro-amerikanë dhe më pro-perëndimorë në këto anë të Ballkanit dhe më gjerë.
Kështu është edhe sot e kësaj dite.
Rëndom, ndër ne, shënimi i përvjetorit të shpalljes së pavarësisë, atë diele të acartë të vitit 2008, kryekëput përmblidhet në ceremonitë dhe protokollet të cilat objektivisht, shërbejnë që përmes kujtesës të kthehemi në atë historinë që i parapriu 17 shkurtit. Pos tjerash, sepse ky rrëfim i gjatë historik, me të gjitha episodet e rënda dhe po aq krenare për të gjithë ne, ka një epilog të suksesshëm.
17 shkurti i vitit 2008 na bëri të gjithë neve, popullin e Kosovës, fitimtarë.
Megjithatë, teksa qytetarët e këtij vendi me të drejtë këtë të hënë shkurti me një mot të bukur dhe me diell, duan të festojnë dhe të gëzohen për këtë arritje sipërore të tyre, politikanët e Kosovës, në radhë të parë do të duhej ta shfrytëzonin këtë ditë që të nxjerrin përfundimet kyç se ku jemi sot, si shtet, dhe cilat janë prioritetet kryesore të këtij shteti.
Përfundimi i parë është që shteti i Kosovës është fundi i rrugëtimit politik të shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të tij. Nuk ka këtu tranzicion, faza kalimtare, etapa të reja.
Shteti i Kosovës do të rrojë sa të ketë shqiptarë në Kosovë.
Kjo punë pra ka marrë fund. Një herë e përgjithmonë.
Përfundimi i dytë është që për fakte dhe zhvillime të njohura për të gjithë ne, kallëzimi i stabilizimit afatgjatë të shtetit të Kosovës nuk është kryer, apo, këtu kemi ngelur në gjysmë të rrugës.
Kjo punë na pret tash e tutje. Gjithsesi.
Gabimi më i madh i mundshëm, me pasoja afatgjata për shtetin e Kosovës dhe për të gjithë ne, është të vazhdohet me një akomodim tashmë të krijuar ndër ne, veçmas viteve të fundit, në elitën tonë politike, sipas të cilit, ne edhe mund të vazhdojmë kështu si jemi sot, pa i dhënë epilogun final stabilizimit të shtetit të Kosovës, si brenda tij, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtarë.
Jemi mësuar disi me këtë gjendje, ajo nuk ka duket edhe aq e keqe, apo, mungesa e sigurimit të një qëndrueshmërie afatgjatë të shtetit të Kosovës, bëhet kryetemë e debateve dhe kontesteve politike, vetëm sa për t’i lërë hesapet në mes vetes, në një fushatë të vazhdueshme përplasjesh, e jo për t’i mbyllur llogaritë tona si shtet, ashtuqë ai të funksionojë si duhet në gjithë territorin e ve, dhe që ky shtet, ta sigurojë atë certifikatën finale të ekzistencës së tij, përmes ngritjes së flamurit në East River, në New York, në selinë e OKB-së, dhe në qartësimin e udhëtimit të tij për në Bruksel, për në selinë e Aleancës Veriatlantike dhe të Bashkimit Evropian.
Dihet mirë që sigurimi i qëndrueshmërisë afatgjatë të shtetit të Kosovës, nuk mund të bëhet pa nënshkruar Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, në thelbin e të cilës duhet të jetë njohja reciproke në mes të këtyre dy shteteve.
Secili prej nesh mund këtu të thotë që kjo nuk është e drejtë, apo që kjo temë është dashtë të kryhet me 17 shkurt të vitit 2008, por të gjithë ne e dimë që ky kapitull ka mbetur i papërfunduar.
Rrethanat për ta sendërtuar qëllimin final të shtetit të Kosovës, të konsolidimit përfundimtar të Kosovës, tani janë më të këqijat se kurrë që prej se dymbëdhjetë vjet më parë u shpall ky shtet.
Së pari, skena politike kosovare është e ndarë, e përçarë, e rraskapitur, me vullnet të pashtershëm për konfrontime të gjitha llojeve, me aspak disponim për ta bërë atë konsensusin minimal për Marrëveshjen me Serbinë.
Së dyti, rajoni i Ballkanit Perëndimor është një fushëbetejë politike dhe e sigurisë në mes të Perëndimit dhe Federatës së Rusisë, apo, Perëndimi nuk e ka më atë fuqinë e ndikimit të pashoq dhe të pakonkurencë që e ka pas në të kaluarën.
Së treti, Bashkimi Evropian po përballet, tash e sa vite, me probleme thelbësore të identitetit dhe të organizimit të vet, gjë që e bën që në vend të garancës për integrimin e gjashtë shteteve të kësaj ane të Evropës në BE, të ofrojë lëkundje, hezitim, pasiguri.
Sado që e gjithë ndërmarrja e madhe historike dhe politike e çlirimit dhe të pavarësimit të Kosovës ka qenë një lloj Misioni i pamundur që doli të jetë sukses i madh për ne dhe për Perëndimin, edhe ky që na pret tash e tutje, apo Misioni i sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të shtetit të Kosovës, nuk është aspak më i lehtë, edhe pse tani kemi të bëjmë me një ndërmarrje kryekëput politike dhe diplomatike.
87 vjet e kemi synuar lirinë. 18 vjet kemi pritur shtetin e Kosovës. 12 vjet pas shpalljes së këtij shteti, ende jemi larg sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjate të tij.
Është punë që duhet të kryhet prej nesh. Sa më parë që është e mundur.