Guardiola: Dështimi kundër Real Madrid do të thotë shkarkim për mua

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka filluar ta nuhasë shkarkimin e tij.

Sport

13/02/2020 10:09

Pep Guardiola është në presion për të fituar kundër Real Madridit, në ndeshjen që luhet javën e ardhshme, në kuadër të fazës së 1/8-ës së finales, në Ligën e Kampionëve.

Sipas vetë teknikut spanjoll, në qoftë se Manchester City nuk e eliminon ekipin madrilien nga kjo garë, pozita e tij do të dridhet dhe me shumë gjasë do të shkarkohet nga ‘Citizens’.

Shkëputja e Liverpoolit me 22 pikë në garën për titull në Premierligë, ka ndikuar që skuadra nga Mançesteri të ketë synim primar pistën ‘’Liga e Kampionëve’’, transmeton lajmi.net

Humbja e mundësisë për ta fituar titullin e tretë rresht në elitën e futbollit anglez e detyron spanjollin të garojë fuqishëm në trofeun më të vlefshëm për klubet evropiane, në mënyrë që ta shpëtojë sezonin. Pasur parasysh këtë, Guardiola ka frikë se dështimi do të thoshte shkarkim për të.

‘’Në qoftë se nuk e fitojmë Ligën e Kampionëve mund të vijë shefi i klubit ose drejtori sportiv dhe të më thotë ‘’ne e duam këtë trofe, ti nuk e fitove dhe do të shkarkojmë’’, u shpreh Guardiola, transmeton lajmi.net.

Ish-trajneri i Barcelonës foli edhe për gjasat që ka klubi anglez për të triumfuar në këtë kompeticion, duke u shprehur se është e vështirë, por jo e pamundur.

Emri i Guardiola së fundmi është lidhur me skuadrën e Juventus, me shumë thashetheme që çojnë ish trajnerin e Barcelonës në Torino, në verën e ardhshme. /Lajmi.net/