“Mini Shengeni”, iniciativë e njëjtë me atë të “Beneluksit”?
Instituti Ndërkombëtar për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit (IFIMES) në Ljubljanë, Slloveni, ka analizuar situatën politike në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht situatën e "mini Shengenit".
Lajme
Analistët e këtij instituti besojnë se iniciativa për të forcuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Bosna dhe Hercegovinës, Maqedonisë Veriore, Malit të Zi dhe Serbisë) nuk paraqet tërheqje nga anëtarësimi në BE.
“Për ato vende, “mini Shengeni” përshpejton procesin e pranimit të tyre në BE”, thuhej në shqyrtim, transmeton lajmi.net.
Instituti me bazë në Ljubjanë, madje, një nismë të tillë të rajoneve të Ballkanit Perendimor po e konsideron si “Beneluksizëm”.
Ky model, i formuar gjatë vitit 1944, themeloi bashkimin doganor “Beneluks” midis Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut. Themelimi i saj pati ndikim të madh në formimin e Bashkimit Evropian.
Liria e lëvizjes, kusht ky i cili do përfshihet në paktin “mini Shengen”, sipas analistëve, do të kishte disa efekte pozitive në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas tyre, kjo do rriste konkurrencën e tyre në treg.
Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore (BB) dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), integrimi rajonal do të çonte në zhvillim ekonomik, i cili do të rezultojë në të paktën 3-4% rritje vitin e ardhshëm.
Bashkëpunimi rajonal, sipas IFIMES, do të përshpejtonte zgjidhjen e problemeve të hapura midis vendeve ballkanike.
“Analistët besojnë se iniciativa duhet të përfshijë gjithashtu lëvizjen e lirë të sportistëve nga vendet anëtare, gjë që do të lehtësonte dhe forconte më tej marrëdhëniet në rajon”, precizohet në publikim.
Takimi tjetër, ai i treti, sipas institutit, pritet të mbahet në 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës. Krerët shtetëror do të vazhdojnë bisedimet për veprimet e tyre konkrete në të ardhmen.
Sido që të jetë, pjesëmarrjen në mbledhjet për realizimin e këtij pakti politik i ka refuzuar Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke sqaruar se vizioni i Kosovës është anëtarësimi i saj në BE dhe NATO.
Disa zyrtarë kosovarë, përfshirë fituesin e zgjedhjeve qendrore të këtij viti, Albin Kurtin, madje deklaruan se iniciativa përfaqëson një përpjekje për krijimin e Jugosllavisë së katërt dhe të ashtuquajturën Serbinë e Madhe. /Lajmi.net/