I kthyeri nga Siria pranon fajësinë para gjykatës

I akuzuari për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Agon Misini, në seancën fillestare të mbajtur të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.

Bota

29/11/2019 14:55

Ai po akuzohet se në gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar, kishte udhëtuar në Stamboll, prej nga kishte shkuar në Siri për t’iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, ku edhe më 26 korrik 2017 është arrestuar nga forcat Kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Afrim Shefkiu, i akuzuari Misini tha se e kuptonte akuzën që i ngarkohej dhe se ndihej fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj fajësinë. Jam i vetëdijshëm për natyrën e pranimit të fajësisë, është pranim vullnetar dhe pas konsultave me mbrojtësen time” tha i akuzuari.

Ky pranim fajësie i bërë nga i akuzuari Misini nuk u kundërshtua nga mbrojtësja e tij, avokatja Albana Kelmendi dhe as nga prokurori Afrim Shefkiu dhe si i tillë u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri.

“Kryetarja e trupit gjykues merr vendim që të aprovohet pranimi i fajësisë nga ai akuzuari, meqë i akuzuari kupton natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit, pranimi është bërë vullnetarisht, pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësen e tij dhe ky pranim mbështetet në provat që janë pjesë e aktakuzës” tha gjykatësja Gërguri.

Pas këtij deklarimi, prokurori Shefkiu ka kërkuar nga gjykata që me rastin e vendosjes për llojin dhe lartësinë e dënimit, të merren parasysh disa rrethana lehtësuese dhe rënduese.

Prokurori Shefkiu ka propozuar që si rrethana lehtësuese të merren gjendja familjare e të akuzuarit dhe pranimi i fajit, ndërsa si rënduese pesha e veprës penale, rrezikshmëria shoqërore, shqetësimi i qytetarëve nga video-incizimet me përmbajtje inkriminuese, duke marrë pjesë me eprorë të lartë të ISIS-it.

Ndërsa, avokatja Kelmendi ka kërkuar që gjykata të vlerësojë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajit nga i mbrojturi i saj qysh në fazat fillestare, pastaj se i njëjti ka ofruar favore për drejtësinë duke dhënë emra të pjesëmarrësve të tjerë në këtë luftë, pendimin e tij, se është njeri familjare dhe asnjëherë më parë s’ka rënë ndesh me ligjin.

Po ashtu, avokatja Kelmendi kërkoi që në dënimin i cili do të shqiptohet nga gjykata të llogaritej koha që i mbrojturi i saj ka qëndruar i arrestuar nga forcat Kurde, prej datës 27 korrik 2017 e deri më 19 prill 2019.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje penale do të bëhet më 2 dhjetor nga ora 09:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 7 nëntor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Agon Misini, për shkak të veprës penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 136 paragrafi 2 të KPRK-së.

Prokuroria Speciale pretendon se i akuzuari Agon Misini, më 24 korrik 2015, me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS, e më pastaj në kohë të pa vërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Misini me të arritur në Siri i është bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, ku pas trajnimeve taktike dhe luftarake ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë ku edhe më 26 korrik 2017, është arrestuar nga forcat Kurde, ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.