Ali Shala: Idriz Beqiri është nip i Zenun Elezajt

28 punëtorë të KRM “Ambienti” në Klinë kanë hyrë në grevë si pasojë e menaxherit të kësaj kompanie.

Lajme

21/10/2019 13:00

28 punëtorët të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti” në Pejë, përkatësisht Njësia Operative në Klinë kanë hyrë në grevë.

Këta punëtorë kanë hyrë në grevë me pretendimin se në postin e menaxherit të kësaj kompanie është Idriz Beqiri, nip i kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj.

Sipas sindikalistëve të kësaj kompanie, Beqiri është familjar i Elezajt, por edhe militant i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Elezaj, e ka mohuar një gjë të tillë për lajmi.net, duke thënë se nuk e ka nip të afërt por është nip i fshatit të tij, madje ai ka thënë se nuk ka asnjë gisht në punësimin e Beqirit, pasi që siç u shpreh ai, nuk e njeh asnjë anëtar të bordit.

Por, e vërteta sipas sindikalistëve është krejt ndryshe.

Kryetari i kësaj sindikate në Klinë, Ali Shala, ka dhënë detaje të hollësishme rreth përzgjedhjes së nipit të Zenun Elezajt dhe anulimit të disa hershëm të atij konkursi.

“Konkursi i parë është shpallur më 17 korrik 2018 dhe është anuluar, sepse ishte shpallur me udhëzim të vjetër administrativ. Edhe atëherë, në përfundim të procedurave ishte përzgjedhur në atë pozitë nipi i Zenun Elezajt, do të thotë i njëjti, por pas një ankese ishte anuluar. Konkursi i dytë është hapur më 9 janar dhe procedurat kanë zgjatur deri në maj 2019, ku prapë është përzgjedhur nipi i Zenun Elezajt, pra i njëjti. Por, pas ankesës së kundërkandidatit, dr. Milqim Musliut, inspektorati i punës kishte bërë vërejtje dhe kishte udhëzuar që të hapej konkurs i brendshëm, pasi që kishte mjaft kuadro të larta brenda njësisë për atë pozitë, por ata nuk e kishin përfillur fare këtë vërejtje dhe udhëzim të inspektoratit, duke vazhduar me emërim e Idriz Beqirit, nipit të Kryetarit të Klinës, në atë pozitë. Babai i Kryetarit të Klinës, Zenun Elezajt dhe babai i nënës së Idriz Beqirit, i cili është edhe aktivist i AAK-së, janë vëllezër”, ka thënë Shala.

Sipas Shalës, Beqiri me të ardhur në këtë pozitë, në njëfarë mënyre i ka kërcënuar punëtorët duke iu thënë se nuk jeni duke punuar dhe se do të sjell njerëz të tjerë në punë.

“Aleanca e ka pru atë këtu edhe kur ka ardhur ai ka thënë që ju s’po punoni e unë kam me pru njerëz këtu. Edhe punëtorët nuk po e duan këtë menaxher”, ka thënë Shala për lajmi.net.

Ai po ashtu tregoi se dihet botërisht nga punëtorët se Beqiri është nip i Elezajt, ndoshta jo djalë i motrës, por është djalë i hallës, dajës apo tezës.

Lajmi.net mëson se gjyshi i Elezajt dhe babai i Beqirit kanë qenë vëllezër. /Lajmi.net/