Chelsea pa probleme ndaj Brighton, Tottenham me 10 lojtarë merr tri pikët kundër Southampton

Chelsea dhe Tottenham kanë shënuar fitore në kuadër të xhiros së shtatë në Premierligë.

Sport

28/09/2019 17:52

Dy skuadrat nga Londra kanë marrë nga tri pikë, në përballjet kundër Brighton, respektivisht Southampton.

Chelsea ka shënuar fitore me rezultatin 2:0, kundër skuadrës së Brighton, raporton lajmi.net.

Golin e parë për blutë e realizoi Jorginho, nga pika e bardhë e 11 metërshit, në minutën e 50’.

Ishte braziliani Willian ai i cli vulosi fitoren e Chelsea, kur gjeti rrugën drejt rrjetës në minutën e 76’ të takimit.

Në pjesën veriore të Londrës u zhvillua një takim diçka më interesant, mes Tottenham e Southampton.

Vendësit kaluan në epërsi në minutën e 24 me anë të Tanguy Ndombele, kurse mbetën me një lojtar më pak vetëm shtatë minuta më vonë, kur Aurier u ndëshkua me kartonin e kuq, raporton lajmi.net.

Sikur kjo të mos mjaftonte, Hugo Lloris bëri gabimin e vitit kur i fali golin skuadrës së Southampton, në minutën e 39’.

Megjithatë, Harry Kane u përkujdes që të merrte tri pikët e skuadrës së tij, kur në minutën e 43’ realizoi për 2:1.

Me këto fitore, Chelsea pozicionohet në pozitën gjashtë, kurse Tottenham mbetet në mesin e skuadrave të top katërshes. /Lajmi.net/