Tentuan t’i hyjnë me dhunë në shtëpi, dy vëllezërit e rrahin për vdekje grabitësin në Shtime
Një person ka mbetur i vdekur dhe një i plagosur gjatë një tentative për grabitje në Lagjen e Pajtimit në Shtime.
Lajme
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:20 minuta të mëngjesit.
Zëdhënësi i policisë për Rajonin e Ferizajt, Mehmetali Hajdini, ka konfirmuar për lajmi.net se i vdekur në vendngjarje ka mbetur njëri prej grabitësve, kurse i plagosur është pronari i shtëpisë që ka qenë cak i hajnave.
“Dyshohet se katër persona kanë hyrë për të grabitur në një shtëpi dhe gjatë tentativës kanë hasur në pronarin e saj të cilin e kanë plagosur në këmbë. Gjatë tentativës për të ikur grabitësit, pronari i shtëpisë dhe vëllai i tij u janë vënë në ndjekje ku dhe kanë arrit që ta ndalin njërin nga të dyshuarit”, ka thënë Hajdini.
“Nga plagët që i janë shkaktuar me mjete të forta i dyshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje. Identiteti i viktimës nuk dihet pasi që nuk ka poseduar me vete dokumentacion. Mosha e tij sillet të jetë rreth 40 vjeç”.
Tutje ai ka shtuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.
I plagosuri, pronari i shtëpisë është dërguar për trajtim mjekësor, kurse vëllai i tij është arrestuar.
Hajdini ka shtuar se policia është duke u marrë me rastin dhe se kanë edhe dëshmitarët për rastin e ndodhur. /Lajmi.net/