Isa Mustafa i frikësohet “fluturimit” të karrigeve në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së
Kryetari aktual i LDK-së, Isa Mustafa ka folur për procesin zgjedhor që do të mbahet më 3 gusht në partinë e tij.

Lajme
Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se pret nga kundërshtarët e vetë politik që t’i urojnë punë të mbarë, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, në një konkurrencë shumëpartiake, politikanët duhet ta mundin njëri tjetrin me vota të qytetarëve.
Megjithë incidentet dhe rrahjet në LDK, Mustafa thotë se nuk ka ndarje brenda LDK-së.
E vetë Mustafa e ka përmendur edhe mundësinë që në këtë Kuvend Zgjedhor të ketë incidente.
Ka thënë se ata që mendojnë kështu, e ulin nivelin e tyre.
Ky është postimi i plotë tij:
Të nderuar qytetarë
Më 3 gusht të këtij viti, LDK mban Kuvendin e Nëntë Zgjedhor. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës kjo është një ngjarje e rëndësishme. Është, domosdo, e rëndësishme edhe për Kosovën nga se LDK është parti lidere në vend, jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga mosha demokratike, duke i mbushur sivjet 30 vjet.
Kam pritur dhe pres që edhe kundërshtarët tanë politik të na urojnë punë të mbarë. Nuk i marr serioz as të pjekur ata që na dëshirojnë karriga. Sepse gabojnë. Ulin nivelin e tyre. Në një konkurrencë shumëpartiake ne duhet ta mundim njëritjetrin me vota të qytetarëve, me asgjë tjetër. I marr të prapambetur për nga koha edhe ata që flasin për klika brënda LDK-së. Të tillët kanë rrëshqitur diku në pellgun e fjalorit dhe mendësisë që nuk është e LDK-së.
LDK nuk është përzier dhe nuk ka lobuar për të keq gjatë zgjedhjeve të asnjë partie. Nuk i kemi komentuar as rezultatet e zgjedhjeve të tyre. Kosovës i nevojiten parti të shëndosha, i nevojiten relacione të shëndosha ndërmjet subjekteve politike, i nevojitet konkurrencë e fortë dhe demokratike.
LDK do të dal e fortë dhe unike në Kuvendin e Nëntë Zgjedhor.
LDK do të dal e para në zgjedhjet nacionale, në shtator të këtij viti. LDK nuk do të bëjë koalicion me ata që nuk e meritojnë, por nuk do të kultivojë urrejtje patologjike ndaj askujt. Sepse njerëzit e çdo partie politike janë njerëz të Kosovës me ide të ndryshme, janë njerëzit tanë. /Lajmi.net/