Policia i lë dy tenderë të sigurimit të veturave në gjykatë, lidh kontratë emergjente

Veturat e policisë së Kosovës dolën në rrugë pa regjistrim disa javë. Kjo ndodhi për shkak që ky institucion nuk i  zhvilloi procedurat tenderuese më kohë, dhe kur e bëri këtë, bëri shkelje të ligjit.

Lajme

12/07/2019 19:28

Pasi  doli edhe në patrullim me vetura të pa siguruara, policia e Kosovës i ka siguruar më në fund automjetet. Sigurimi automjeteve u bë duke u anashkaluar konkurueshmëria. Zyra e prokurimit të Policisë lidhi kontratë emergjente me kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë, për sigurimin e automjeteve për një përudhë gjashtë mujore, shkruan lajmi.net.

Lidhja e kontratës me këtë kompani është bërë me procedurë të prokurimit ‘Procedurë e negociuar pa publikim të kontratës’. Zyra e prokurimit të policisë mund ta ketë shkelur ligjin e Prokurimit Publik në këtë rast, pasi për sigurimin e veturave i ka aktiv edhe dy tenderë tjerë që po pret të nënshkruaj kontratë me ta. Të dy tenderët i kanë ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit –OSHP për shkak të dyshimeve që prokurimi i policisë e shkeli ligjin kur e shpalli fitues kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group”.

Ani pse të dy tenderët janë në OSHP për shkak të favorizimeve që prokurim ia bëri kësaj kompanie të sigurimeve, autoriteti kontraktues edhe në kontratën e negociuar e ftoi për kontratë kompaninë e njëjtë me çmim prej 209 mijë euro.

Çka thotë ligji

Ligji Nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Kosovës, konkretisht neni 35 ka paraparë edhe ‘Procedurat e negociuara pa publikimin e njoftimit të kontratës’. Ky nen thotë: “Autoriteti kontraktues mund të përdor procedura të negociuara pa publikimin paraprak të njoftimit të kontratës për ushtrimin e aktiviteteve të prokurimit që kanë për qëllim dhënien e kontratës: 2.1. (iii nëse, për  aq sa është shumë e nevojshme për  arsye të  emergjencave ekstreme që janë shkaktuar nga ngjarje objektivisht të verifikueshme të cilat nuk kanë pasur mundësi të parashikohen me arsye nga autoriteti përkatës kontraktues, autoriteti i tillë kontraktues nuk mund ta japë kohën e kërkuar për ushtrimin e cilësdo procedurë tjetër që parashtrohet në këtë ligj. Me kusht që kjo dispozitë të mos mund të shfrytëzohet nëse rrethanat që e kanë krijuar situatën emergjente ekstreme mund t’u atribuohen veprimeve neglizhonte ose të qëllimta ose lëshimeve të autoritetit kontraktues”, thuhet në këtë nen.

Edhe pse ligji nuk e precizon qartë këtë rrethanë, në këtë rast ka pasur neglizhencë nga autoriteti kontraktues, dhe lëshime, por nuk dihet nëse ato kanë qenë të qëllimta, ani pse kontrata është lidhur më kompaninë e njëjtë që për OSHP-në është e papërgjegjshme.

Si erdhi deri të ky rast

Lajmi.net ka shikuar edhe në ueb-faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik –KRPP për të parë se kur është nënshkruar kontrata e fundit për sigurimin e veturave. Sipas ueb-faqes së KRPP-së, kontrata në mes te Policisë së Kosovës dhe kompanisë  “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë është nënshkruar më 05.03.2018, dhe tenderi ka qenë për 12 muaj.

Ndërkohë, më 3.01 2019, prokurimi i policisë ka bërë njoftim për kontratë kornizë për 36 muaj  “Sigurimi i automjeteve të ndryshme të PK-së, sigurimi TPL, TPL Plus dhe sigurimi kasko”.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 1.115.721,86 euro. Më 28.02.2019, autoriteti kontraktues ka bërë njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit.

“Ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është i nevojshëm për shkak të ngjarjeve dhe/apo arsyeve objektive dhe të demonstrueshme të cilat janë jashtë kontrollit të autoritetit kontraktues dhe të cilat kanë qenë të paparashikueshme në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, thuhet në arsyetimin e anulimit.

Më 23.03.2019, zyra e prokurimit të Policisë së Kosovës ka bërë njoftim të ri për këtë aktivitet të prokurimit, dhe tash kohëzgjatja e kontratës është shënuar të jetë për 12 muaj, ndërsa vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 322.028,56 euro.

Më 07.06.2019, e ka shpallur fitues kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë. Më pas kompania “Sigal Uniqa Group Austria” SH.A –Prishtinë, është ankuar tek autoriteti kontraktues, i cili ka marrë vendim që ta hedhë poshtë ankesën. Pastaj kompania është ankuar tek Organi Shqyrtues i Prokurimit duke pretenduar se është shkelur ligji disa herë kur është zgjedhur fituesi i këtij tenderi. Paneli Shqyrtues gjeti se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 dhe 72 të Ligjit të Prokurimit dhe njëkohësisht nuk është respektuar neni 60 i LPP-së, kriteri kryesor për dhënie të kontratës që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët. Andaj, Paneli vendosi që kjo lëndë të kthehet në rivlerësim. Ky vendim është marrë nga OSHP-ja më datë 04.07.2019.

Policia ka vendosur ta respektojë këtë vendim dhe mësohet se është duke i rivlerësuar ofertat. Megjithëkëtë, me tu ankuar në OSHP kompania “Sigal Uniqa Group Austria”, Policia e Kosovës e ka hapur një tender të ri, që të sigurojë vetëm 270 veturat. Tenderi ishte hapur më 06.06.2019 dhe ka qenë me procedurë të hapur sikur i pari.  Vlera e parashikuar e kontratës: 66.906,00 euro.

Zyra e prokurimit të Policisë ka e ka shkurtuar afatin për dorëzimin e tenderëve. Si arsyetim prokurimi ka shkruar se “tenderin që është shpallë dhe është në fazën e vlerësimit të ofertave është lëshuar një gabim teknike në një pozicion që ka të bëjë me sasi, ku për këtë lëshime teknike është e njoftuar KRPP me shkrime dhe takimin që kemi pasur si dhe autoriteti kontraktues nuk ka kontratë aktive në lidhje me shërbimet e sigurimit të automjeteve si dhe çdo ditë numri i automjeteve është duke ju skaduar sigurimi. Kjo ka të bëjë edhe më kërkesë të Njësisë kërkuese që të shkohet me afate kohore të shkurtuara të publikimit rekomandoj të veprohet konform Ligjit në fuqi dhe nevojës se paraqitur”, thuhet në njoftimin për kontratë.

Pasta më datë 24.06. 2019, prokurimi i Policisë e ka shpallur fitues të tenderit kompaninë “Sigma Interalbania Vienna Insurance Group” SHA-Dega në Kosovë, me ofertë totale 66 mijë e 906 euro.

Por, kundër njoftimit, është ankuar prapë kompania “Sigal Uniqa Group Austria”, sikurse edhe në tenderin tjetër.

Autoriteti Kontraktues –Policia e Kosovës e ka hedhur poshtë ankesën më datë 1 korrik 2019. Tash kompania është ankuar në OSHP, ndërsa prokurimi i policisë së Kosovës ka bërë njoftim për pezullimin e këtij aktiviteti të prokurimit deri sa OSHP-ja ta sqarojë këtë situatë.

Ndërkohë, mbetet të shihet nëse edhe Policia e Kosovës do të mund të heqë dorë nga njëri prej aktiviteteve të prokurimit, apo si do të procedojë, pasi ka lidhur kontratë emergjente për këtë punë me kompaninë që dyshohet që e favorizoi në dy rastet. /M.B -Lajmi.net/