Zjarri apokaliptik i Chernobylit

E vërteta dhe rrena mund të bashkëjetojnë në jetën e njeriut, madje edhe të një shoqërie. Por, në rrethanat e Chernobylit, në pranverën e vitit 1986, dallimi midis tyre ishte i madh dhe kishte domethënien e vijës ndarëse në mes të jetës dhe vdekjes. Ky është krye-mësimi i serialit të shkëlqyeshëm televiziv ‘Chernobyl’.

Opinion

10/06/2019 12:10

Tragjeditë e Titanicut dhe Chernobylitkanë domethënie të disafishtë për Evropën, Qytetërimin dhe historinë e Shekullit Njëzet.

Titanicu, anija më e madhe e krijuar deri atëherë, më e sigurta sipas ndërtuesve të saj, madje anija që thjesht nuk mund të fundosej dot, do të përpihej për disa orë nga ujërat e ftohta të  Oqeanit Atlantik, në natën që lidhi bashkë 14 dhe 15 prillin e vitit 1912.

Chernobyl, një central atomik bërthamor, që shënonte mënyrën më efiçente dhe më të sigurt të prodhimit të energjisë elektrike, një central që nuk mund të shkatërrohej dot, do të eksplodonte, në reaktorin e katërt të tij, në natën që bashkonte 25 dhe 26 prillin e vitit 1986.

Katastrofa e Titanicut, që pati tronditur Evropën e kohës, ishte një konfirmim për një raport fare të papërgjegjshëm mes elitave prijëse të kohës dhe zhvillimit marramendës shkencor e teknologjik të kohës.

Ky raport, i cili vërtetonte subordinimin e një mendimi të baraspeshuar politik fuqisë së pamatshme ushtarake dhe teknologjike, vetëm dy vjet më pas do të dëshmohej si fatal për shtetet më të mëdha të Evropës, të cilat do të hynë në një luftë të madhe botërore (të parën e këtij lloji), pa kurrfarë nevoje, pa kurrfarë arsye.

Dihet çka ndodhi më pas.

Katastrofa e Chernobylit, që pati lemerisur Evropën e kohës, ishte treguesi më i mirë për një relacion të çuditshëm në mes të elitës sovjetike/ komuniste të kohës në Moskë, e cila i nënshtrohej plotësisht ideologjisë së vet, dhe një dështimi të madh në teknologjinë paqësore bërthamore, i cili priste të ndodhte në çdo moment.

Si Titanicu, ashtu edhe Chernobyli, duket se kanë qenë të pashmangshme.

Çfarë kishte ndodhur në Chernobyl, siç do të vlerësohej njëzet vjet më pas, nga Mikhail Gorbachev, lideri i fundit i Bashkimit Sovjetik, ishte kasneci i shembjes së Komunizmit dhe të Kampit lindor evropian, të cilit i printe Moska zyrtare. Por, në librin e tij autobiografik, të shkruar shumë vjet para këtij vlerësimi të saktë, ai do t’ia kushtojë tri-katër faqe tmerrit të Chernobylit.

Sidoqoftë, në këtë mënyrë, pra, do të merrte fund Lufta e Ftohtë, e cila ishte në të vërtetë epilogu final i asaj Luftës së Parë Botërore, që pati shpërthyer në vitin 1914.

Natyrisht, seria televizive ‘Chernobyl’ e HBO, e skenaristit Craig Mazin dhe regjisorit Johann Renck(këta të dy nuk kanë krijuar deri më tash kryevepra të këtij lloji, edhe pse ishin treguar si profesionistë të mirë), e cila u shfaq për pesë jave rresht gjatë majit dhe qershorit, dhe që aktualisht po vlerësohet si seria më e arrirë ndonjëherë në historinë e këtij zhanri televiziv, nuk ka pretendime të tërheqë paralele të këtilla politike, historike dhe qytetëruese.

Për më shumë, kjo seri nuk ka kurrfarë ambiciesh politike, as nuk synon të jetë një lloj i rishqyrtimit të kolapsit të madh të Bashkimit Sovjetik, i cili, sipas Vladimir Putinit, liderit më të njohur të Rusisë post-sovjetike, ishte katastrofa më e madhe gjeo-strategjike në historinë e re të njerëzimit.

‘Chernobyl’ është një dramë tepër e fuqishme televizive, e realizuar në mënyrë të shkëlqyeshme, që ndërtohet mbi themelet e një ngjarjeje tronditëse në një central bërthamor, e cila bashkon në një rrëfim të paharrueshëm njerëzit e thjeshtë, politikanët e kohës në Moskë, zjarrfikësit, minatorët, punëtorët, shkencëtarët dhe heronjtë që asokohe shpëtuan – siç shihet më së miri nga vetë rrjedha e kësaj serie pesorëshe – gjysmën e Evropës nga një katastrofë që do të mund t’ia kalonte dhjetëraose edhe qindfish Hiroshimës.

Gjithçka në këtë serilidhet me shkaqet dhe pasojat e shpërthimit të reaktorit të katërt të centralit atomik në Chernobyl, të pagëzuar  (siç edhe e ka dashur rendi komunist), Vladimir Iliç Lenin.

Një operacion teknik, ose një test i sigurisë së funksionimit të një reaktori në këtë central bërthamor, shkon krejt mbrapsht nga ekipi që u gjet në ndërrimin e natës, për t’u dyzuar pastaj me të metat evidente teknike të këtij centrali (dhe shumë të tjerëve në hapësirën e atëhershme të Bashkimit Sovjetik), dhe për ta vendosur këtë natë të rëndë në kalendarin e katastrofave më të tmerrshme në historinë e re të njerëzimit.

Kishte ndodhur ajo që nuk ishte e mundur në teori: Shpërthimi i vetë reaktorit bërthamor.

Qarqet më të larta politike të Moskës, në krye me Gorbachevin, në fillim nuk dinin çfarë kishte ndodhur. Më pas, nuk besuan që diçka e tillë ishte e mundur. Tutje, ata deshën ta fshehin prej Evropës dhe Botës që ishin përballur me një tragjedi të këtij lloji.

Gorbachev dhe bashkëpunëtorët e tij u dorëzuan vetëm atëherë kur në Suedi u shënua, pak ditë më pas, një nivel enorm i rrezatimit, që kishte për burim të vetin ngjarjen në Chernobyl,dhe kur u mor vesh se amerikanët posedonin incizimin satelitor të vetë shpërthimit.

Në një skenë të serisë, Gorbachev u drejtohet udhëheqësve të tjerë sovjetikë me këto fjalë: ‘Fuqia jonë varet nga perceptimi i saj  (në Botë). A e dini çka kam bërë gjithë mëngjesin? Gjithë mëngjesin u kam kërkuar ndjesë burrështetasve të Evropës…!.’

Gorbachev, megjithatë, si në atë rrjedhën e mirëfilltë historike, ashtu edhe në serinë e HBO, kishte bërë një hap vendimtar për ta kufizuar një herë, e pastaj për ta ndalur, hovin shkatërrimtar të këtij centrali atomik. Ai dërgon në vend të ngjarjes Zëvendësin e vet, Boris Scherbina (në seri e luan shumë mirë Stellan Skarsagrd) dhe një shkencëtar rus, Valery Legasov (të cilin e personifikon Jared Harris), dhe kjo dyshe, së bashku me një shkencëtare bjelloruse, Ulana Khomyuk (e luan Emily Watson), do të jenë autorë të të gjitha veprimeve që do ta ndërpresin mësymjen e Chernobylitpër të mbytur qindra mijëra njerëz  (në mos edhe miliona) dhe që t’i bëjë të pabanueshme Ukrainën, Bjellorusinë dhe pjesët tjera të Evropës.

Scherbina dhe Legasov janë protagonistë të njëmendtë të kallëzimit për Chernobylin, ndërsa Khomyuk është një bashkimi shumë shkencëtarëve të kohës që gjithsesi dhanë një kontribut të madh për ta ndalur ‘bishën bërthamore’.

Legasov ia bën me dije menjëherë Scherbinas që këta të dytë janë të dënuar me vdekje, duke punuar fare pranë vatrës së shpërthimit për javë dhe muaj të tërë, ose që herët avonë do të sëmuren nga kanceri.

Por, as njeri dhe as tjetri nuk hezitojnë fare ta bëjnë punën e tyre, me qindra dhe mijëra vullnetarë të ndryshëm, për t’i kufizuar përmasat e këtij tmerri bërthamor që kishte nënshkrimin e qartë të gabimit të madh njerëzor: si në krijimin e këtij centrali, ashtu edhe në menaxhimin e tij.

Autorët e serisë e krijojnë rrëfimin e tyre për Chernbylin dhe qytetin e Pripyatit (që do të evakuohej i tëri, dy ditë pas katastrofës), duke kombinuar atë krye-kallëzimin për këtë zjarr apokaliptik të këtij centrali, me kryeprotagonistët, krye-fajtorët e tij, me dëftimin për njerëzit e thjeshtë që u gjetën në detyrë atë natë (si në central, ashtu edhe rreth tij), duke mos ditur se për çfarë bëhej fjalë dhe duke mos pyetur pse ata duhej të sakrifikoheshin në këtë rast.

Mazin dhe Renck e kanë shfrytëzuar në masë të madhe librin e Svetlana Alexievich, shkrimtares belloruse dhe fitueses së Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2015, që i dedikohet kësaj ngjarjeje që ishte një episod ferri në Tokë.

Në librin e saj ‘Zërat e Chernobylit’, Alexievich, në atë stilin e saj ku mbledhë në një vend zërat dhe fjalët e atyre njerëzve të thjeshtë që rëndom harrohen, nuk dëgjohen, treten, humben, kishte arritur ta ndërtojë atë korin e vajtimit, të vuajtjes, të dëshpërimit dhe pikëllimit për gjithë atë tmerr që i kishte bërë të gjithë ata pjesë të një historie të vetme.

Në këtë mënyrë, autorët e serisë na shfaqin totalitetin e kësaj fatkeqësie, e cila nuk lë gjë pa goditur, pa sulmuar, pa rrezikuar. Jo vetëm njeriun, pra. Por, edhe qiellin dhe tokën, ajrin dhe ujin, bimët dhe kafshët, ditën dhe natën, çastin dhe amshimin  (rrezatimi zgjat me mijëra vjet).

Asnjë luftë në të kaluarën nuk ka qenë kaq gjithëpërfshirëse, si kjo goditje e atomit, që nuk shihet, nuk preket, nuk ndihet, nuk ka erë, e që shfaros gjithçka.

Janë këto të gjitha atribute hyjnore, të cilat nuk zbresin nga Qielli dhe nuk vijnë nga Zoti, por mbërrijnë nga një central atomik dhe kanë Njeriun si burim të vetëm të vetin.

Shpezët kështu ngordhin dhe bien poshtë teksa fëmijët vazhdojnë të luajnë. Kaprojtë shtrihen për toke, duke mbetur pa frymë. Qentë dhe të gjitha gjallesat tjera vriten sistematikisht nga forcat ushtarake ruse dhe varrosen në gropa të mëdha, duke u hedhur çimento përmbi.

Janë të gjitha këto tablo emocionuese dhe lemeritëse.

Një ushtar madje detyrohet t’ia vrasë lopën një fshatareje të vetmuar, teksa ajo po ia merrte qumështin, meqë me asnjë kusht nuk pranon të largohet nga shtëpia dhe nga fshati. Me moshën që ka, ajo kishte përjetuar zullumin e të gjitha ushtrive të mundshme, prandaj nuk i frikësohet një të keqeje tjetër që nuk kishte uniformë, nuk kishte komandë, nuk kishte urdhër, nuk kishte zë.

E gjithë seria, në fakt, në çdo vazhdim të saj, ka momente të këtilla rrëqethëse, të cilat nuk janë dorëshkrim artistik dhe regjisorial, nuk janë episode të imagjinatës, por kanë dalë nga realiteti i rëndë i atyre ditëve dhe javëve në Chernobyl.

Kështu, ta zëmë, pak pasi ndodh shpërthimi në reaktorin e katërt të centralit, burra dhe gra, me fëmijët e tyre, dalin te një urë në qytetin e Pripyatit, prej së cilës shihet më mirë zjarri i Chernobylit.

Ta merr mendja që ata po i gëzohen një drite dhe zhurme që vjen prej fishekzjarrëve, në një festë kombëtare, ose në një fundvit.

Që të gjithë këta që vështronin nga kjo urë zjarrin e Chernobylit, do të vdesin më pas nga rrezatimi i madh.

Pripyati thonë që ka fatin e Pompeit, që u mbulua nga vullkani shumë shekuj më parë.

Te dy këto qytete janë tani qytete fantazma.

Janë veçanërisht të rënda tablotë nga spitali në Moskë, ku dërgohen të plagosurit dhe të goditurit nga radioaktiviteti, veçmas zjarrfikësit që intervenuan të parët, ndërsa do të vdisnin në dhimbje të mëdha, të padurueshme, të papërshkrueshme, vetëm pas disa javësh.

Të gjithë ata do të varroseshin në sarkofag të veçantë, në një varr masiv diku në Moskë, të mbuluar me çimento.

Edhe të vdekur ashtu, me atë shkallë të madhe të rrezatimit, ishin shumë të rrezikshëm për të gjallët.

Një tjetër episod rrëqethës është ai kur minatorët që janë të angazhuar për të hapur një kanal nën centralin atomik, për ta evituar kështu një tjetër të keqe të madhe, e të cilët e dinin fare mirë që janë të rrezikuar me vdekje nga puna e tyre, vendosin të punojnë fare lakuriq, për shkak të nxehtësisë së madhe në këtë minierë të improvizuar.

Këtu nuk kishte më skrupuj moralë, nuk kushte turp, nuk kishte kode të mirësjelljes.

Këta minatorë ishin të deleguarit e jetës, nëse mund të thuhet kështu, për të ngadhënjyer mbi vdekjen.

Atyre u lejohej gjithçka.

Mazin dhe Renck poashtu huazojnë disa nga episodet më të rënda të librit të Alexievich, duke ia ofruar atë anën e thjeshtë njerëzore kryerrjedhës së serialit që ndërlidhet me tre kryeprotagonistët e tij, Scherbinan, Legasovin, Khomyukun.

Ndryshe as që ka mundur të ndryshohej ky kobi i madh i Chernobylit, i cili kërcënonte gjysmën e Evropës.

Ndryshe, e vërteta e rëndë, e dhimbshme, tragjike,për shpërthimin e reaktorit numër katërt të këtij centrali bërthamor, nuk do të mund të ngadhënjente mbi gënjeshtrën e madhe, e cila në fillim përkrahej nga të gjithë zyrtarët lokalë dhe nacionalë sovjetikë.

E vërteta dhe rrena mund të bashkëjetojnë në jetën e rëndomtë të një njeriu, madje edhe të një shoqërie dhe të një shteti.

Kështu ka qenë gjithmonë. Kështu është edhe tash.

Por, në rrethanat çfarë ishin ato në Chernobyl, në pranverën e vitit 1986, dallimi midis tyre ishte i madh, tepër i madh, dhe kishte domethënien e vijës së qartë ndarëse në mes të jetës dhe vdekjes.

E vërteta shpëtonte jetën, madje gjysmën e Evropës.

Gënjeshtra merrte trajtën e qindra mijëra viktimave dhe të rrezatimit që do ta bënte Hiroshimën lojë fëmijësh.

Valery Legasov në këtë seridel të ketë qenë zëri kryesor i së vërtetës në këtë rrëfim të skëterrshëm në Chernobyl.

Në dy raste, ai megjithatë detyrohet të gënjejë. Herën e parë, kur në një hotelnë qytetin e Pripyatit, aty ku qëndronte, një çift e pyet nëse janë njëmend të rrezikuar nga zjarri i centralit atomik. Ai u përgjigjet me një “jo”. Nuk kishte si ta thoshte të vërtetën e rëndë, në ato rrethana. Herën e dytë, kur në emër të autoriteteve sovjetike, kishte raportuar në IAEA  (në Vjenë), ose në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Këtu, Legasov kishte thënë që në këtë rast kryekëput bëhet fjalë për dështimin e ‘faktorit njeri’, e jo të vetë centralit atomik.

Këtë e kishte bërë Legasov, sepse mendonte që kishte arritur marrëveshjen me instancat më të larta sovjetike që në këmbim të kësaj dëshmie të tij, që ishte gjysmë e vërtetë, ato do t’i riparonin gabimet në centralet tjera bërthamore në Bashkimin Sovjetik.

Legasov ishte mashtruar prej tyre.

Kjo zatën konfirmohet edhe në bisedën që Shefi i KGB-së  (Shërbimit të Sigurimit në Bashkimin Sovjetik), e bënë me Legasovin para se ky të dëshmojë në gjyqin ku duhej ndëshkuar fajtorët për tragjedinë e Chernobylit, kur ky i ofron Legasovit në këmbim për dëshminë e tij titullin e heroit dhe riparimin e sistemit në centralet atomike.

Por tani Legasov e kishte ndarë mendjen.

Sidoqoftë, Legasov në fund humb karrierën e tij si shkencëtar, për shkak të së vërtetës, në vijim të dëshmisë së tij në gjyqin që u bëhet fajtorëve kryesorë njerëzorë të kësaj tragjedie(sepse ky thekson që dështimi kryesor lidhet me vetë funksionimin e sistemit/ teknologjisë në këto centrale bërthamore), ndërsa dy vjet më pas, ai bën edhe vetëvrasje, duke lënë prapa vetes kastetat e incizuara me rrëfimin e tij për të vërtetën e Chernobylit.

Legasovin nuk deshi ta kujtonte askush nga udhëheqësia e atëhershme sovjetike.

Vetëm dhjetë vjet më pas, Presidenti i Rusisë, Boris Yeltsin, do ta dekoronte Legasovin me titullin e ‘Heroit të Federatës së Rusisë’, për guximin dhe trimërinë e treguar gjatë hetimit të tragjedisë së Chernobylit.

Ndryshe, kjo seri ka edhe muzikën tej mase adekuate, të kompozitores së njohur Hildur Gudnadottir, të njohur edhe si bashkëpunëtore të kompozitorit të madh islandez, të ndjerit Johann Johannsson.

Mbase, përvoja e punës së përbashkët ka bërë të veten në këtë aspekt. Tingujt e Gudnadottir na rikujtojnë Johannssonin.

Seriali ‘Chernobyl’ i HBO ia kaloi me popullaritet (për cilësi, mbase nuk vlen fare të flitet) ‘yllit’ të HBO, ‘Games of Thrones’, të sapopërfunduar, që është një tjetër shembull i qasjes përrallore në film, në TV, në letërsi, në anën Perëndimore të Qytetërimit.

Kjo është një mrekulli.

(Autori është kolumnist i rregullt i Lajmi.net)