Specialja veç mund t’i ketë ngritur aktakuzat e para, të ftuarit nuk besojnë në drejtësinë e saj

Jo shumë kohë pritet të kalojë deri kur Specialja do të ngris aktakuzat e para për ish-ushtarët e UÇK-së.

Lajme

25/05/2019 21:32

Deri më tani, një numër jo i vogël i ish-ushtarëve janë intervistuar nga kjo Prokurori, disa në Hagë e disa në Prishtinë, shkruan lajmi.net.

Ndonëse kanë kaluar disa muaj që prej se kjo Gjykatë nisi dërgimin e ftesave të para në Kosovë, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar deri më tani.

Megjithatë, avokati Tomë Gashi thotë se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur, mirëpo se Specialja nuk i ka bërë publike aktakuzat.

Sidoqoftë ai thekson se për ish-ushtarë të nivelit të mesëm, nuk mund të shkojë kohë e gjatë derisa kjo Prokurori të nisë akuzat e para.

“Për persona të caktuar të nivelit të mesëm nuk do të shkojë kohë e gjatë dhe këto aktakuza do të bëhen publike edhe pse në bazë të dispozitave ligjore ka mundësi që veç mund të ketë aktakzua të ngritura, sepse ekziston kjo mundësi dhe në një mënyrë nuk janë bërë publike dhe janë të mbrojtura”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, ngritja e aktakuzave për profilet e larta të ish-komandantëve mund të marrë kohë, ngase kjo sipas tij lidhet direkt me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ngritja e aktakuzave nga Specialja ka fillu me u ba si një lloj telenovele, edhe pse tashmë po dihet se më tepër se 40 ish-pjesëtarë të UÇK-së janë intervistuar në cilësi të ndryshme, dhe shumica në cilësi të dyshuarit. Për profile të larta me siguri se nuk do të ketë aktakuza së shpejti apo në një kohë të afërt, për shkak se dihet që një promotorve të kësaj gjykate ka qenë Serbia”, thotë Gashi.

Gashi në fund thotë se për datën e saktë të ngritjes së këtyre aktakuzave mund të flasë vetëm Prokuroria e Specializuar, teksa shton se pasojat e votimit të së njëjtës do të fillojnë së shpejti të dihen.

E ish-luftëtarët e UÇK-së që u ftuan nga kjo Gjykatë nuk besojnë në drejtësinë e kësaj të fundit.

Ata thonë se lufta e tyre ka qenë e drejtë dhe në asnjë rrethanë nuk ka pasur krime të kryera nga shqiptarët.

Ish-ushtari i UÇK-së, Safet Syla i cili kohë më parë u ftua për intervistim, thotë se ka qenë nderë të jeshë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës sipas tij ka qenë e pastër si loti.

“Lufta jonë ishte e pastër si loti, ne kemi bërë luftë çlirimtare dhe asnjëherë në asnjë rrethanë nuk kemi bërë krim për të cilën mund të akuzohemi. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e UÇK-së dhe që kam pasur fatin të jem pjesë e asaj gjenerate që sakrifikoi çdo gjë për lirinë që ne sot e gëzojmë”, ka thënë Syla për lajmi.net.

E i fundit që u intervistua nga kjo Gjykatë është asamblisti i LDK-së në Suharekë, Bashkim Ndrecaj.

Ndrecaj, që u intervistua në cilësinë e të dyshuarit, thotë për lajmi.net se nuk i beson drejtësisë së kësaj Gjykate.

“Unë besoj që nga kjo betejë do të dalim fitimtarë. Më shumë i besojë luftës së drejtë të UÇK-së se kësaj Gjykate”, shprehet shkurt Ndrecaj.

E jo të gjithë ish-ushtarët e UÇK-së iu përgjigjen njësoj ftesës së Speciales.

Remzi Shala, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, u arratis menjëherë pasi që i erdhi ftesa nga kjo Prokurori.

Ai u arrestua dje në shtëpinë e tij, pasi që paraprakisht Gjykata e Prizrenit kishte lëshuar fletëarrest për të.

Nga Specialja deri më tani janë intervistuar edhe komandantë të njohur të luftës, përfshirë Sylejman Selimin, Sami Lushtakun e Rrustëm Mustafën. /Lajmi.net/