Anëtari i Bordit të “Pallatit të Rinisë”, kundërligjshëm në krye të strukturave të LDK-së në Prishtinë
Në vitin e kaluar është themeluar Ndërmarrja Publike më e re e Komunës së Prishtinës “Pallati i Rinisë”. Po ashtu ishte zgjedhur edhe Bordi drejtues i Ndërmarrjes.
Lajme
Njëri prej anëtarëve të Bordit të kësaj ndërmarrje, Arsim Gollaku është rizgjedhur kryetar i nëndegës së 8 të degës së parë të Lidhjes Demokratike Kosovës në Prishtinë, shkruan lajmi.net.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë, Gollaku në rrjetin social Facebook.
“Te nderuar qytetar sot është mbajtur kuvendi i 9-të zgjedhor i Nëndegës 8 të Degës së parë të Lidhjes Demokratike Kosovës, ku unë mora besimin qe edhe një mandate 4 vjeçar te jem kryetar I kësaj nedege. Rrugëtojmë bashkë drejt fitoreve të reja”, ka shkruar Gollaku para rreth dhjetë ditëve në rrjetin social Facebook, postim të cilin e ka fshirë më pas.
Emërimi i tij si kryetar i nëndegës së LDK-së, dhe anëtar Bordi i një Ndërmarrje, bije ndesh me Ligjin për Ndërmarrjet Publike. Kjo pasi ligji ka paraparë që një anëtar i Bordit nuk mund të jetë i emëruar politik, ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.
Bordi i drejtorëve të “Pallatit të Rinis” përbëhet nga Arben Polloshka, Arsim Gollaku, Nazmi Kryeziu, Cuneyd Ustaibo.
Ky Bord është përzgjedhur nga anëtarët e Komisionit të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës, që janë dy asamblistë dhe një nga ekzekutivi komunal, asamblistja e PSD-së, Mimoza Sylejmani, asamblisti i LDK-së, Shefqet Osmani, si dhe nga menaxher i burimeve njerëzore në Prishtinë, Avni Zuka.
Lajmi.net ka provuar të bisedojë me Gollakun, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Aksionarja e kësaj Ndërmarrje, Mimoza Sylejmani ka thënë se nuk e posedon informatën se Gollaku është zgjedh në post partiak, por se ka pohuar se do ta shikojnë këtë bashkë me aksionarin tjetër, Avni Zuka.
“Ne nuk e kemi informatë, as unë as Avni Zuka. Do të takohemi sot për iftar me Avniun, dhe në rast se është zgjedhur kryetar i nëndegës, siç po thoni ju do të marrim masa për shkarkim. Kjo pasi ligji e ndalon këtë veprim”, tha Sylejmani për lajmi.net.
Sipas listave të publikuara në KQZ, Gollaku ka qenë edhe kandidat për asamblist në zgjedhjet e fundit lokale nga radhët e LDK-së, por kishte dështuar të fitonte një ulëse në Asamblenë Komunale.
Po ashtu, Arsim Gollaku një vit më parë kishte aplikuar edhe për drejtor të Bordit të NP “Trafiku urban”, por nuk i kishte plotësuar kushtet për intervistë. Në fotografitë e publikuara në Facebook, ai shihet në shoqëri më aksionarin Shefqet Syljemani që është edhe asamblist i LDK-së. /Lajmi.net/