Haradinaj kërkon reagimin e Brukselit pas ndaljes së këshilltarit të tij nga BIA serbe
Këshilltari i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Srdjan Jovanoviq, sot është ndaluar nga policia serbe në pikë kalimin kufitar tek Dheu i bardhë.
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi autoritetet serbe ndaluan në pikën kufitare Dheu i Bardhë, këshilltarin e tij, Srdjan Jovanoviq, shkruan lajmi.net.
Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka shkruar se ky ndalim nuk është i pari i kësaj natyre dhe duke e parë këtë metodë që po përdor shteti serb, ai ka kërkuar nga Brukseli që të reflektojë ndaj sjelljeve të Serbisë që po i përdorin për qytetarët e Kosovës.
Ndryshe, Srdjan Jovanoviq, ishte ndaluar nga disa anëtarë të MUP-it serb, derisa ishte nisur për në Vranjë.
Lexo edhe:
BIA serbe ndalon dhe merr në pyetje këshilltarin e kryeministrit Haradinaj
Anëtarët e MUP-it serb i kishin thënë se urdhri për ta ndaluar u kishte ardhur nga shërbimi i inteligjencës serbe (BIA), dhe më pas sipas njoftimit të partisë së Sllobodan Petroviqit, i cili javë më parë është sulmuar fizikisht nga dy zyrtarë të Listës Serbe.
Reagimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:
Shpreh shqetësimin për ndalimin e këshilltarit tim Srdjan Jovanovic nga autoritetet e sigurisë dhe inteligjencës serbe. Ky ndalim, që nuk është i pari i kësaj natyre, edhe njëherë dëshmon qartë se metodat e frikësimit që përdoren nga autoritetet serbe, janë një shenjë agresioni, karshi qytetarëve të Kosovës.
Ju bëjmë thirrje autoriteteve të Brukselit zyrtar që të reflektojnë dhe adresojnë, sjelljen e autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës.
Ky agresion, nuk i ndihmon normalizimit të marrëdhënieve mes shteteve tona. /Lajmi.net/