A duhet edhe Era Istrefi të jetë pjesë e bashkëpunimit mes Bebes, Duas, Ritës dhe Ava Maxit?
Jo çdo popull e ka mundësinë të krenohet me yjet që kanë bërë bujë kudo në botë, ashtu siç e ka populli shqiptar.

ShowBiz
Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi e së fundmi edhe ajo që po njihet si Ava Max (emri origjinal: Amanda Koci) janë ato që ia kanë dëshmuar, e po vazhdojnë t’ia dëshmojnë botës se nuk na mungon talenti por edhe bukuria, shkruan lajmi.net.
Tash kur rrjetet sociale janë bërë qendra kryesore për shpërndarjen e çdo ideje që të vijë në kokë, një rrjet të tillë e ka shfrytëzuar edhe ylli, Bebe Rexha e cila me pak fjalë e ka shprehur më së miri dëshirën e kamotshme të të gjithë shqiptarëve, ardhjen në duet të yjeve më të mëdha të cilat gëzojnë famë ndërkombëtare.
Ajo në “Twitter” ka nxjerrë një status të shkurtër ku ka shkruar “Dua bashkëpunim” duke etiketuar këngëtaret Dua Lipa, Rita Ora dhe Ava Max.
Dy prej tyre super-yje të cilat jo rastësisht e gëzojnë famën, derisa Ava Max është yll në ngritje e që po konsiderohet si një talente që do të thyej edhe rekorde madje. Të gjitha dhanë konfirmim pozitiv.
Tek “çikat” që u bënë simboli kryesor i 17-shkurtit në rrjetet sociale, kishte munguar Bebe Rexha por edhe Era Istrefi derisa Ava Max nuk është se njihej deri në debutimin e fundit.
Reagimet ishin nga më të ndryshme, pse Era Istrefi mungonte në foto. Për Bebe Rexhën si shkas i mos vendosjes së saj ishte marrë se ajo ishte shqiptare por nga Maqedonia e Veriut, derisa baneri ishte bërë për 17-shkurtin dhe në të duhej vendosur vajzat e Kosovës.
Edhe Era Istrefi ishte nga Kosova por nuk e kishin vënë, ndonëse nga vet këngëtarja nuk pati asnjë reagim kjo e fundit arriti të ia mbyllë gojën të gjithëve duke u bërë shqiptarja e parë të jetë zëri i këngës zyrtare të Botërorit – Rusia 2018.
https://www.instagram.com/p/BknLVkiDMS6/
E tash, përsëri kanë nisur mëdyshjet e shumë shqiptarëve rreth asaj se sa e meriton që edhe Era Istrefi të bëhet pjesë e bashkëpunimit të kërkuar nga Bebe Rexha.
Era Istrefi ka bërë emër në Kosovë me “Mani për Money” që ishte kënga e parë që e ka publikuar.
U bë një prej emrave më të përfolur në Ballkan kur publikoj këngën “E dehun”, madje u përmend edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara pasi që kishte xhiruar klipin në hapësira të “institucioneve fetare”.
24-vjeçarja nga Prishtina është e para që ka marrë famë botërore me një këngë në gjuhën shqipe por që kishte një dozë të vogël përzierje edhe në anglisht.
Ajo u bë pjesë e shumë top-listave botërore derisa në disa prej tyre është renditur si e para. Zëri i saj edhe nga mediumet më prestigjioze është konsideruar si unik, derisa ka marrë lëvdata edhe për theksin e saj të veçantë.
Karrierën ndërkombëtare e nisi në viti 2016-të me hitin e saj viral “Bon Bon” që sot numëron afër 1-miliard shikime në YouTube.
Ka nënshkruar kontratë me një nga kompanitë më të mëdha muzikore në botë, “Sony Ultra Music”.
Deri më tani ka bashkëpunuar me disa prej artistëve më të njohur në botë. Nicky Jam, Will Smith, Diplo, French Montana, Felix Snow e së fundi edhe me Konshens.
Ka arritur të bëhet zëri i himnit të Kampionatit Botëror “Rusia 2018” një ngjarje ku jo çdo këngëtari i ipet mundësia të këndojë. E duke marrë parasysh se një gjë e tillë bëhet një herë në katër vite, mund ta merrni me mend se sa janë gjasat potenciale që një shqiptare tjetër të arrij një sukses si të Era Istrefit.
Në YouTube mund të gjeni me mijëra video-reagime dhe t’i dëgjoni e t’i shikoni edhe vet njerëzit se sa shumë magjepsen nga bukuria dhe zëri i saj.
Në anën tjetër, hiç më keq por as shumë më mirë nuk janë Dua, Rita, Bebe dhe Ava. Sido që të jetë edhe dëshira e Bebe Rexhës mund të mbetet vetëm një status në “Twitter”, derisa nëse bëhet realitet do të ishte për të ardhur keq që Istrefi të mos ishte pjesë e saj.
Zërat e veçantë dhe bukuria e tyre do të na bënte edhe më krenar nëse do t’i shihnim të gjitha bashkë.
Një fjalë thotë: “Të bëheni bashkë është fillimi, të qëndroni bashkë është arritje, të punoni bashkë është sukses!”. /Lajmi.net/
Egzona Shigjeqi