Fytyrë të re për Prishtinën

Besnik Tahiri thotë se fitorja e tij tashmë ka marrë rrugë dhe askush nuk mund ta ndalë. Nga Lagjja e Muhaxherëve, premtoi se do t’i sjellë Prishtinës një fytyrë të re.

Lajme

20/10/2013 15:35

Kandidati i AAK’së për Prishtinën, Besnik Tahiri, sot ishte në Lagjen e Muhaxherëve, ku para banorëve të saj prezantoi programin e tij “Kontrata për Ndryshim”.

Ai i falënderoi qytetarët e kësaj Lagje që kanë qenë bashkëpunues duke caktuar prioritetet e tyre, të cilat, sipas Tahirit, e ndihmuan që ai të përpilojë programin e tij.

“Kontrata për Ndryshim është fokusi ynë politik dhe programatik, përmes së cilës ne realizojmë ndryshimin në të gjithë sektorët dhe në të gjitha lokalitetet, duke u siguruar se ndryshimi që do të ndodhë është real dhe do t’u përgjigjet pritjeve tuaja.”

“Fitorja jonë tanimë ka marrë rrugën e vet, është e pakthyeshme, nuk mund ta ndalë askush, as ata që shkatërruan këtë vend për 13 vjet, as tjerët që tentojnë të shkatërrojnë çdo vlerë të secilit njeri, apo atyre që dëshmuan se si nuk duhet të qeveriset.”

“Ju premtoj se përherë do të jem i vërtetë dhe i përkushtuar, duke qenë falënderues dhe mirënjohës besimit të secilit qytetar në rrugën tonë të drejtë për t’i sjellë Prishtinës një fytyrë të re.”

Për Lagjen e Muhaxherëve, Kandidati i AAK’së për Prishtinën premtoi, Qendër Zejtare, Kompleksin e Rinisë dhe Edukimit, ku do të përfshihen hapësirat për lexim dhe rekreacion, si dhe ndërtimi i hapësirave multi-funksionale. Gjithashtu. premtoi ndriçim në këtë Lagje dhe krijimin e hapësirave të gjelbëruara.