Policia jep detaje për grabitjen e bankës në Prishtinë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje për grabitjen e një banke që ndodhi sot në lagjen Veternik në Prishtinë.
Lajme
Policia e Kosovës ka thënë se sot rreth orës 13:30, ka marrë një informacion për grabitje të armatosur në një filial të bankës në lagjen Veternik në Prishtinë, raporton lajmi.net.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.
Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nën kërcënimin e armëve, po ashtu personat e dyshuar kanë sulmuar fizikisht një person dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Personi i lënduar (sigurim i bankës), është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia po punon me përkushtim për të identifikuar personat e dyshuar dhe vendndodhjen e tyre.
“Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, ka në fokusin e përditshëm të punës së saj luftën kundër krimit, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarve të akteve kriminale si dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe qetësisë publike, andaj ftojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me rastet kriminale e veçanërisht për rastin e sipërshënuar të mbështesin policinë me informacionet e tyre për hetimin dhe zbulimin e akteve të tilla”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Kujtojmë se pikërisht të hënën e kaluar në lagjen Dardania në Prishtinë është grabitur një bankë në mes të ditës. /Lajmi.net/