E ardhmja e Higuain te Milan, në pikëpyetje

Shumë shpejt Milani do të mësojë nëse Gonzalo Higuain do të jetë i gatshëm për sfidën kundër Parmës, apo skualifikimi i tij do të jetë ende në fuqi, pas kartonit të kuq të marrë kundër Juventusit. Pritet që “El Pipita” të udhëtojë drejt Romës me avokatët e klubit, për të pasur më shumë fuqi në Gjykatën Federale të Apelit.

Sport

23/11/2018 13:03

Por, sipas mediave italiane, në dilemë është e ardhmja e tij me kuqezinjtë. Ka pasur pikëpyetje nëse skuadra e Gattusos do të shfrytëzojë mundësinë e marrjes së lojtarit pas përfundimit të huazimit. Më shumë se një zgjedhje teknike, bëhet fjalë për anën ekonomike, duke marrë parasysh dhe masat që do të marrë “Fair Play Financiar” për ekipin milanez.

Kuqezinjtë kanë paguar tashmë 18 milionë euro për huazimin e argjentinasit, ndërkohë që duhet të shtojnë edhe 36 të tjera nëse vendosin ta blejnë në fund, shifër kjo jo e ulët, e cila do të paguhet në 2 këste deri në vitin 2021. Flitet gjithashtu se ka pasur edhe pakënaqësi nga ana e Higuainit për sezonin që po kalon skuadra, e cila pati disa zhgënjime në fillim të kampionatit.

Pavarësisht se renditet në vendin e 5-të, Milani po vuan edhe dëmtimet e disa prej lojtarëve kryesorë të skuadrës, e gjithashtu nuk ka bindur me lojë në disa sfida të luajtura. Duhet thënë se deri më tani Higuain nuk ka zhgënjyer, me 7 gola të shënuar në 13 ndeshje, por çmimi i tij “i kripur” ka bërë që kuqezinjtë të mendojnë edhe një herë për të ardhmen e lojtarit, e cila mund të mos jetë më në Milano sezonin e ardhshëm.