Nga Serbia vijnë reagime për raportimet se SHBA-të kanë shkëputur komunikimin me ministrin e FSK-së
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, ka folur për raportimet se SHBA-të kanë shkëputur komunikimin me ministrin e FSK-së, Rrustem Berishën si dhe me zëvendësministrin, Agim Çeku.
Lajme
Ai gjatë ditës së sotme ka thënë se nuk e di nëse një informacion i tillë është i vërtetë, dhe se për një gjë të tillë ka dëgjuar vetëm nga mediat, transmeton lajmi.net.
Megjithatë, Daçiq ka thënë se politikat e Jashtme dhe ato të Brendshme të Kosovës janë në një defansivë totale, gjë që sipas tij është shenjë e mirë për Beogradin.
“Mendoj se është shenjë e mirë. Në përgjithësi, politikat e jashtme dhe ato të brendshme të Kosovës janë në një defansivë totale. Ato më nuk janë pjesë e Perëndimit, por për ta ato janë një problem. Ato janë një pengesë në arritjen zgjidhjes paqësore”, ka thënë ai.
Ndërkaq në anën tjetër sipas Daçiq, pozita e Serbisë karshi Kosovës është përmirësuar dukshëm.
“Njerëzit kanë mirëkuptim për argumentet tona. Ne vazhdojmë me politikën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës”, ka përfunduar kreu i diplomacisë serbe.
Kujtojmë se tash e një kohë, diplomacia serbe është në një ‘ofansivë’për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.
Madje Daçiq vazhdimisht ka deklaruar se numri i shteteve që e kanë bërë një gjë të tillë pritet të bijë nën 100./Lajmi.net/