Thjesht dimë që ka përpjekje për të arritur te një plan, te një plan për mbylljen njëherë e mirë të problemeve mes serbëve e shqiptarëve dhe dimë që në thelb po kërkohet të arrihet te një plan, që nënkupton një sakrificë edhe nga pala shqiptare.
Përsëris: Nuk po them se duhet ta pranojmë symbyllazi planin e Thaçit, apo planin që i kanë parashtruar Thaçit. Jo, absolutisht jo. Në këtë histori, jo çdo plan mund të pranohet. Nuk mund të bihet dakord me çdo sakrificë. Por në të njëjtën kohë, përpjekjet për ta gjetur një zgjidhje duhet të përshëndeten. Dhe mjaft më me akuzat për tradhti. Nuk ka asnjë tradhtar në këtë mes.
Ka vetëm njerëz që në kokë kanë zgjidhje të ndryshme, ka njerëz që janë të gatshëm të bëjnë sakrifica të ndryshme për të arritur te paqja, ashtu siç ka njerëz që nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë sakrificë, s’ka gjë se me këtë ndjellin e përgatisin luftën. Këta të fundit merren rëndom për më patriotët, por nuk janë. Nuk them se janë tradhtarë, pasi këtë etiketë sapo e përjashtova.
Thjesht thashë se nuk janë më patriotët. Bën vaki që më patriotët të jenë të tjerët, ata që ngjajnë si renegatë. Thaçi? Jo, nuk është e thënë.
Nuk them se Thaçi është më patrioti. Sepse këtë gjë nuk e di. Thaçin nuk e njoh mirë. Dhe përsa i takon rastit konkret, nuk e di se çfarë ka në kokë. Por ideja për të gjetur një zgjidhje që na vendos në paqe me serbët njëherë e mirë, është këto kohë një ide e Thaçit dhe është një ide interesante. Është e vetmja ide interesante që ekziston në tavolinë. Idetë e tjera janë ide të konfrontimit, të urrejtjes, të armiqësisë. Idetë e tjera janë të atyre që shohin tradhtarë te kushdo që s’është me idetë e tyre.
Unë nuk kam qenë ndonjëherë ndonjë fan i Hashim Thaçit. Mund të thuhet që kam qenë një fan i Albin Kurtit. Por sot, midis Hashim Thaçit që ka hedhur me guxim një ide që duket e çmendur dhe Albin Kurtit që, bash për këtë arsye, e quan Hashimin një shërbëtor të Vuçiçit, unë jam me Hashimin. Në këtë pikë, Hashimi më duket më i ri, më novator, më i guximshëm në politikë. Ndërsa Albini dhe gjithë të tjerët, të cilët vijojnë të jenë të fiksuar pas idesë se shqiptarët janë përjetësisht të mirët e serbët janë përjetësisht të liqtë, më duken demode.
Edhe Vuçiçi, meqenëse e përmenda, ka të njëjtin problem që ka edhe Thaçi. E sulmojnë edhe atë si tradhtar. E sulmojnë të vetët në Serbi. Ky është një problem që e kanë veç në Ballkan. Dhe e kanë vetëm ata që mbrojnë ide të guximshme. Të tjerët nuk kanë probleme.
Nuk kanë probleme ata që janë të aftë të denoncojnë tradhtarë pa pushim, nuk kanë probleme ata shqiptarë që bërtasin “Poshtë Serbia, poshtë Greqia!”, nuk kanë probleme ata serbë, grekë e maqedonas që bërtasin “Poshtë shqiptarët!”.
Njerëz të tillë jo vetëm nuk kanë probleme, por janë të nderuar. Marrin medalje. Fitojnë vota. Bëjnë karrierë. Vënë pasuri. Atyre u ngrihen vjersha, përmendore. Mirëpo, është koha që ta themi se njerëz të tillë që kanë vetëm një plan e vetëm një axhendë, atë të përjetësimit të konfliktit me fqinjët, duhen izoluar.
Nëse Ballkani ka një problem, problemi janë pikërisht këta. Dhe Ballkani do të shpëtojë, veç kur këta të jenë një minorancë e papërfillshme në secilin prej vendeve tona. Përsëris edhe njëherë idenë e fillimit: Hashim Thaçi nuk është tradhtar. Nuk e besoj kurrë këtë gjë.
Nuk ka asnjë gjasë që të jetë kështu. Hashim Thaçi mund të jetë idiot, por jo tradhtar. Por edhe në qoftë idiot, ai është më pak idiot sesa ata që Hashimin e quajnë tradhtar. Në çdo rast, rroftë Hashim Thaçi!