Goditja mund t’i bëjë fëmijët më agresivë

Goditja e fëmijëve që bëhet si formë e ndëshkimit mund t’i inkurajojë ata që të sillen në mënyrë më agresive.

Lifestyle

13/09/2018 17:28

Psikologët po bëjnë thirrje që kjo gjë të ndërpritet, për shkak të efektit që ka në shëndetin mendor të fëmijëve.

Një propozim është paraqitur nga Shoqata e Psikologëve të Arsimit në Britani të Madhe, me të cilin i është kërkuar qeverisë të pranojë se ndëshkimi fizik mund të ketë efekte negative afatgjata në zhvillimin e fëmijës.

Prindërit dhe kujdestarët aktualisht lejohen t’i godasin me lehtësi fëmijët, praktikë që quhet “ndëshkim i arsyeshëm” dhe gjendet në nenin 58 të Ligjit për Fëmijët të vitit 2004, përcjell Klan Kosova.

John Drewicz, president i Shoqatës së Psikologëve, të mërkurën në konferencën vjetore  në Mançester, ka folur për atë se si ndëshkimi i tillë mund të ndikojë negativisht në shëndetin e tyre mendor dhe mund t’i inkurajojë ata që të sillën në mënyrë agresive dhe të dhunshme.

Për këtë çështje reagoi edhe shoqata bamirëse “Save the Children”, e cila theksoi se të gjithë fëmijët kanë të drejtën e mbrojtjes nga dhuna, shfrytëzimi, abuzimi dhe neglizhimi.

Ndëshkimi trupor u ndalua me ligj në shkollat ​​shtetërore britanike në vitin 1986, por mbeti ligjor në shkollat ​​private deri në vitin 1998 në Angli dhe Uells, deri në vitin 2000 në Skoci dhe deri në vitin 2003 në Irlandën e Veriut.