Sundimi i historisë
Bërja e shtetit të Kosovës nuk ka qenë ‘kontratë mbi vepër’ në mes nesh dhe atij. Ky shtet është vullnet i yni. I shprehur me politikë, me luftë, me flijim.
Opinion
Sivjet u bënë njëzet vjet nga fillimi i luftës në Kosovë. Në vitin e ardhshëm, 2019, do të mbushet njëzet vjet nga përfundimi i saj, e cila mori fund me çlirimin e Kosovës. Por ne në një formë apo tjetrën, tutje jemi të detyruar, me apo pa vullnetin tonë, të mirremi me te, apo ajo tutje është këndejpari, tok me ato vitet e rënda të okupimit (në të nëntëdhjetat). Ne kemi aktualisht të kaluar me bollëk, shumë më tepër se sa që objektivisht mund ta përballojmë. Kostoja politike dhe financiare e saj, vetëm sa po rritet. Midis tjerash, sepse ne po arrijmë të prodhojmë të kaluarën tonë, përditë e më shumë.
Sidoqoftë, paramendoni situatën kur SHBA-ja dhe Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, edhe në vitin 1965 (apo njëzet vjet pas mbarimit të saj), ende do të mirreshin me këtë luftë, me pasojat e tmerrshme të saj.
Ky krahasim mbase është i mjaftueshëm për të kuptuar për çka bëhet fjalë këtu. Në këtë rastin tonë.
Janë së paku pesë dimensione të relacionit tonë me të kaluarën e viteve të okupimit dhe të luftës: Ai shtetëror, politik, shkencor, artistik, buxhetor.
Ky i pari është i kuptueshëm, i arsyeshëm, fatkeqësisht, i domosdoshëm dhe i pashmangshëm. Shteti i Kosovës nuk mund të ketë qëndrueshmëri të brendshme dhe as stabilitet afatgjatë ndërkombëtarë, pa arritur Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve tona me Serbinë. Ne mund ta mallkojmë fatin tonë (në këtë aspekt), mund të themi (me të drejtë), që është e pakuptimtë tutje të mirremi me këtë temë, që lidershipi i Serbisë është dashtë qëmoti ta pranojë realitetin e shtetit të Kosovës, por në anën tjetër, të gjithë ne, kur qetësohemi pak, e dimë që nuk kemi tjetër pos të përpiqemi ta zgjidhim një herë e përgjithmonë këtë çështje. Derisa të mos e bëjmë këtë, ne, objektivisht, do të jemi pengji të viteve të luftës, apo, tutje do të jemi të varur nga ‘Graviteti i të kaluarës’.
Ky dimensioni i parë, gjithsesi më i rëndi i raportit tonë me të kaluarën, ky i relacionit tonë me Serbinë, pastaj shfaqet edhe me këtë dimensionin e dytë, politik, i cili njeh, herë më shumë e herë më pak, ndarjen e skenës politike të vendit në ‘krahun e luftës’ dhe ‘krahun e paqes’, në kërkim të një legjitimiteti historik, i cili është në shterrje apo harxhim e sipër, i cili madje, duhet të jetë i barasvlershëm (gjë që gjithsesi është gabim), me legjitimitetin e mirëfilltë, atë të votës, të vullnetit të qytetarëve.
Sidoqoftë, duket që ky dimension i yni me të kaluarën apo historinë tonë, do të mbetet tutje në fuqi, së paku derisa të mos përfundojë rrëfimi i bisedimeve politike të Kosovës me Serbinë.
Dimensioni i tretë është në fakt një ‘derivat’ i këtij të mëparmit, sepse ne, edhe kur bëhet fjalë për historinë si shkencë, përpiqemi që edhe në shpjegimin e historisë sonë më të re, e cila njeh shumë dëshmitarë, protagonistë dhe pjesëmarrës të gjallë, t’i vendosim skemat aktuale politike, thuajse në vitet 1998, 1999, kemi luftuar në mes veti e jo me Serbinë dhe me forcat e saja që synonin, veçmas në pranverën e vitit 1999, të na shfarosnin prej faqes së dheut si popull. Neve ende na mungon një libër objektiv për këtë historinë e re, e cila përndryshe, njëmend është e jashtëzakonshme, sepse na ka bërë fitues, na ka bërë të lirë, na ka bërë me shtet, na ka bërë me miq perëndimorë.
Dimensioni i katërt, ai artistik, na shfaqet me pak suksese dhe më shumë dështime, në përpjekjet tona që edhe përmes artit, t’i rrëfejmë Botës çka kemi përjetuar në ato vitet tragjike të luftës. Ne ende nuk kemi një film të madh për luftën që në Botë do ta kryente punën e qindra librave të historisë.
Më në fund, e kaluara jonë, historia jonë e re, është njësi e veçantë buxhetore, që është në rritje e sipër, duke mos ia ditur fundin as sivjet, dhe as në vitet e ardhshme.
I kemi këtu luftëtarët e UÇK-së, ish të burgosurit politik, viktimat e dhunës dhe të luftës, mësimdhënësit dhe arsimtarët që kanë mbajtë gjallë arsimin paralel në Kosovë, të përjashtuarit nga puna (nga regjimi i Serbisë), vetëm pse ishin shqiptarë, etj.etj.
Nuk ka dyshim që shteti i Kosovës ka obligim që ta trajtojë edhe këtë aspekt të raportit me historinë e re. Por, këtu janë limitet apo kufizimet e këtij shteti, të cilat duket që ne nuk jemi të gatshëm t’i pranojmë.
Bërja e shtetit të Kosovës nuk ka qenë ‘kontratë mbi vepër’ në mes nesh, si shqiptarë të Kosovës, dhe atij. Ky shtet është vullnet i yni. I shprehur me politikë, me luftë, me flijim.