Vazhdojnë dorëheqjet në Vetëvendosje
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Niman Rexhepaj i cili jeton dhe punon në Zvicer përmes një shkrimi ka treguar se që nga sot nuk do të jetë më pjesë e partisë së Albin Kurtit.
Lajme
Rexhepaj përmes një letre ka treguar arsyet se pse ka vendosur që të largohet prej Vetëvendosjes. Ai thotë se ndihet jashtëzakonisht i zhgënjyer që është shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm, sipas tij, janë të dobët moralisht e kombëtarisht.
Letra e plotë:
Të dashur miq të fb, shokë nga Lëvizja Vetëvendosje, nga sot e tutje, unë nuk do të jem më aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
Po ndihem jashtëzakonisht i zhgënjyer, tmerrësisht i befasuar për keq dhe jam shfrytëzuar maksimalisht nga njerëz të papërgjegjshëm, e që janë të dobët moralisht e kombëtarisht.
Në këtë subjekt politik, ata që mendojnë ndryshe dhe nuk iu përshtatën veprimeve e mendësisë së tyre ekstreme, eliminohen dhe përjashtohen në mënyrën më të turpshme të mundshme.
Unë jetoj dhe punoj në shtetin e Zvicrës dhe në pamundësi për të qenë më afër rrjedhave politike përbrenda subjektit në fjalë, nuk kam arritur deri më tani ta kuptoj dashakeqësinë e tyre për shtetin e Kosovës dhe qëllimin e tyre për ta shkatërruar atë.
Ky subjekt, sa unë kam arritur ta kuptoj, ka disa misonarë të cilët vijnë nga jashtë e që ndihmohen nga disa injorantë të tjerë përbrenda, bëjnë shpërlarjen e trurit të të rinjve nga mosha 17 vjeçare deri tek ajo 24, e të cilët i doktrinojnë për ta diskredituar e shkatërruar shtetësinë e Kosovës.
Jam tmerrësisht i befasuar nga kjo gjë dhe njëkohësisht po ndihem shumë keq që pavetëdije kam kontribuar për këtë idiotësi nga e cila shumë aktivistë të rinj kanë përfunduar me fatalitet.
I lus të gjithë ata të rinj që janë pjesë e këtij subjekti politik, ta fusin trurin e tyre në përdorim që të mos bien pre e këtyre idiotëve dhe të largohen sa më parë nga ky subjekt, sa nuk kanë pësuar!
Mallkuar qofshin të gjithë ata që kanë për qëllim shkatërrimin e shtetit të Kosovës!.