Partneriteti me Iowa-n, është partneritet me SHBA-të

Marrëdhëniet bilaterale dhe miqësia e mirë që Kosova ka me shtetin e Iowa-s, janë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky ishte vlerësimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në  takim me Komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjeneral Major Timothy Orr. 

Lajme

08/05/2018 15:40

Gjatë takimit me Gjeneralin Orr, kryeministri Haradinaj e njoftoi për të arriturat dhe prioritet e Qeverisë së Kosovës, veçmas në fuqizimin dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës, për çka Kosova ka nevojë për ndihmën dhe asistencën e ShBA-ve. 

“Jemi të përkushtuar që marrëdhëniet tona bilaterale të fuqizohen në fusha të interesit të përbashkët dhe përvoja juaj do të na ndihmojë në avancimin e sektorëve të ndryshëm, veçmas në fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë, në kulturë”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Gjeneralin Orr për rolin dhe kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, veçmas për mbështetjen e vazhdueshme të FSK-së.

“Ne kemi nevojë për storie suksesi, duke çuar përpara bashkëpunimin shumëvjeçar me shtetin e Iowa-s. Tani me ardhjen e delegacionit prej 60 anëtarësh nga ky vend nga institucione dhe profile të ndryshme, ne po e profilizojmë këtë bashkëpunim, duke i dhënë theks të veçantë fushës së arsimit dhe fushës ekonomike, krahas prezencës ushtarake”, tha Kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga Gjenerali Orr vazhdimin e mbështetjes ushtarake në aksione të përbashkëta me FSK-në. 

Ndërkaq, Gjenerali Orr tha se sa herë është për vizitë në Kosovë ndjehet mirë, duke e vlerësuar progresin e Kosovës në këtë dekadë të parë të pavarësisë së saj.
Ai gjithashtu falënderoi Kryeministrin për pritjen e delegacionit nga Iowa dhe për gatishmërinë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. 

Në takim ishte edhe Colleen Hyland, zëvendës shefe e Misionit të SHBA-ve në Kosovë.

Pas takimit me kryeministrin Haradinaj, në një adresim para kabinetit qeveritar, Gjenerali Orr tha se partneriteti Kosovë-Iowa është më i miri që ka Iowa dhe SHBA-të, dhe kjo falë popullit të Kosovës. “Nuk kemi gjetur partneritet më të mirë sesa Kosovën dhe popullin e saj”, tha gjeneral majori Timothy Orr.

Duke folur për raportet e mira ndërmjet dy vendeve, Orr tha se janë në pritje të nënshkrimit të dy marrëveshjeve me qytetet simotra.

iowa3