Sami Lushtaku mohon se pati përleshje sot në Skenderaj

Kryetari i Degës në Skenderaj të Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, ka thënë se nuk është e vërtetë se sot ka ndodhur një përleshje për motive politike në komunën e Skenderajt.

Lajme

06/05/2018 19:58

“Mohoj kategorikisht përfshirjen e bashkëpunëtorëve të mi dhe anëtarëve të PDK-së në ndonjë zënkë ose koflikt fizik në Skenderaj”, ka deklaruar Lushtaku.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve se në mesditën e kësaj të diele, një person është lënduar pas rrahjes fizike nga disa qytetarë për shkak të disa mospajtimeve brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

 

 

Reagimi i Lushtakut:

“Pas spekulimeve të ditës së sotme nga disa media për gjoja një sulm fizik të bashkëpunëtorve të mi ndaj një personi në Skenderaj, në cilësinë e Kryetarit të degës së PDK-së në Skenderaj e informoj opinion publik, qytetarët e Skenderajt dhe anëtarët e simpatizantët e PDK-së se lajme të tilla janë spekulime dhe qëllimkëqia.

Lajmet të rreme dhe të paguara lirë nga oponentë politikë të skaduar dhe mbeturina të hedhura, për qëllim kanë dëmtimin e procesit brilant zgjedhor që po ndodh në degën e PDK-së në Skenderaj. Përpjekja e individëve të tillë për të dëmtuar procesin zgjedhor brenda PDK-së ka kaluar në nivel tjetër, duke përdorur portale spekulative dhe të paguar për të parqitur situatën si konfliktuoze, në kohën kur PDK po masivizohet me të rinj dhe të reja të gatshëm për të marrë përgjegjsi politike. Mohoj kategorikisht përfshirjen e bashkëpunëtorëve të mi dhe anëtarëve të PDK-së në ndonjë zënkë ose koflikt fizik në Skenderaj.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të individëve të caktuar për të krijuar çdo ditë lajme të rreme në lidhje me degën e PDK-së, i siguroj anëtarët e PDK-së se PDK vazhdon të jetë unike dhe në proces të masivizimi të mëtejmë. Përpjekjet për të krijuar situata artificiale dhe të paqëna, janë tendencë e qartë që të manipulohet opinioni publik, pasi tendenca për të dëmtuar procesin e brendshëm zgjedhor tashmë ka dështuar.”/Lajmi.net/