“Më 16 shtator presim fitoren e dytë të Kosovës”, qytetarët presin lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

Teksa 16 shtatori po afrohet, vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi final për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë. Në prag të shpalljes së verdiktit, qytetarët në Kosovë kanë shprehur pritshmëritë e tyre, duke thënë se shpresojnë në lirimin e tyre dhe në kthimin e tyre në Kosovë. Për shumë prej tyre,…

Lajme

25/08/2026 08:32

Teksa 16 shtatori po afrohet, vëmendja mbetet e përqendruar te vendimi final për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në prag të shpalljes së verdiktit, qytetarët në Kosovë kanë shprehur pritshmëritë e tyre, duke thënë se shpresojnë në lirimin e tyre dhe në kthimin e tyre në Kosovë.

Për shumë prej tyre, procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shoqëruar me bindjen se ndaj tyre është bërë padrejtësi.

Nuha Bislimi tha se pret që ish-krerët e UÇK-së të lirohen, duke e konsideruar procesin ndaj tyre të padrejtë.

“Mendoj që po, edhe dëshiroj të lirohen, të jenë të lirë. Sepse me padrejtësi po rrinë atje. Jo, jo, çfarë të drejte? Nuk ka qenë i drejtë, i padrejtë totalisht. Ne presim të lirohen sa më shpejt. Keq, boll na mërzitemi të gjithë. E mundshme është, është padrejtësi e madhe”, tha Bislimi.

Njëtë si Bislimi mendon edhe Azem Doda i cili për Ekonomia Online tha se shpreson që ish-krerët UÇK-së të kthehen në vendin e tyre, duke shtuar se ajo që u ka ndodhur është e padrejtë.

“Inshallah kanë ymër e kthehen në tokën e vet. Aty veç Zoti e di. Ata nuk kanë shkuar me ia zaptuar tokën askujt, veç me mbrojt pragun e vet. Sigurisht që u është bërë e padrejtë”, tha Doda.

Ndërkaq, Beqir Lale tha se është duke e pritur vendimin e 16 shtatorit, duke shprehur dëshirën që ish-krerët e UÇK-së të lirohen.

“Me gjithë dëshirë, me shpirt e me zemër. Po, kur janë marrë, ka qenë vendim i padrejtë dhe edhe tash është vendim i padrejtë. Por, me të gjitha shpresat, më 16 shtator do të jetë fitorja e dytë e Kosovës. Dashtë Zoti të mos merret”, tha Lale.

Të shtunën platforma qytetare “Liria ka Emër” ka vendosur në Prishtinë “Orën e Pritjes”, disa ditë ditë para 16 shtatorit, datës kur pritet të shpallet vendimi final për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Ky rast tashmë po shkon drejt fundit, pasi deklaratat përmbyllëse janë caktuar që të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime në Kosovë, meqë është parë si gjykim i njëanshëm, pasi nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Me thirrjet për drejtësi, në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur edhe protesta kundër procesit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.