Cilat ushqime duhet t’i hani për të pasur flokë të shëndetshëm?

Dëshira për të patur flokë të shëndetshëm dhe sa më të gjatë mund të kthehet në një qëllim më vete për shumë femra, aq sa shpeshherë ta gjejnë veten duke provuar lloje të ndryshme ampulash e trajtimesh, për të mos folur për zgjatuesit artificialë – ”extensions hair”.

Lifestyle

04/05/2018 21:20

Mirëpo a jeni të sigurta se po bëni gjënë e duhur?

Prerjet dhe lyerjet e vazhdueshme, përdorimi i tepruar i tharëses dhe mungesa e mbrojtjes nga dielli jo vetëm që dobësojnë flokët, por edhe ndalin rritjen e tyre, shkruan Living.al.

Ndërmjet shumë mënyrave që stimulojnë rritjen e flokëve, ne sugjerojmë atë më të sigurtën: USHQIMIN.

Flokët tuaj janë ajo që hani.

Specat e verdhë

Në ndryshim nga varietet e zakonshme të kuqë dhe jeshilë, specat e verdhë përmbajnë sasi më të larta të vitaminës C, madje pesë herë më shumë se vetë agrumet.

Kjo është edhe arsyeja kryesore përse duhet t’i përfshini në regjimin tuaj ushqimor, sidomos nëse doni flokë të gjatë e të shëndetshëm.

Por, jo vetëm kaq.

Specat e verdhë parandalojnë rënien e flokëve, si dhe favorizojnë prodhimin e kolagjenit, një substancë e rëndësishme që forcon skalpin e kokës.

Bananet

Krahas specave, bananet janë produkti tjetër që përshpejton rritjen e flokëve. Dhe sigurisht që për këtë duhet t’i jeni mirënjohës nivelit të lartë të kaliumit që përmban ky frut.

Ky mineral i kombinuar me aminoacidet e bananes nxisin rritjen e flokëve të shëndetshëm dhe sa më të gjatë.

Patatet

Patatet janë të pasura me substanca të ndryshme ushqyese, beta-karoten, provitaminë A, përbërës me veti anti-inflamatore dhe antioksidantë që përshpejtojnë rritjen e flokëve.

Avokadoja

Avokadoja është padyshim një ndër ushqimet më të shëndetshme që nuk duhet të mungojë në asnjë vakt pasi vlerat e tij ushqyese mbrojnë organizmin nga veprimi i radikaleve të lira, parandalojnë rrudhat e parakohshme, përmirësojnë qarkullimin e gjakut si dhe nxisin rritjen e flokëve.

Konsumi i saj hidraton skalpin dhe forcon folikulat.

Vezët

Vezët përmbajnë biotinë, një integrator natyral që forcon dhe përshpejton rritjen e flokëve.

Aminoacidet që gjenden tek veza janë ideale ëpr të luftuar rënien e flokëve, si dhe për të trajtuar problemet e tjera si thatësia e skalpit dhe yndyrosja e tij.

Vitaminat që gjenden tek veza hidratojnë skalpin dhe si rrjedhojë stimulojnë rritjen e shëndetshme të flokëve.

Agrumet

Edhe pse nuk jemi në stinën e tyre, ju mund t’i gjeni ende në treg.

Agrumet nuk duhet të mungojnë në regjimin ushqimor të asnjë personi pasi jo vetëm që sjellin dobi të mëdha për shëndetin, por i bëjnë flokët edhe më të bukur.

Rrisin në mënyrë natyrale prodhimin e kolagjenit, një substancë shumë e rëndësishme që stimulon rritjen e flokëve.