Kryeministri Haradinaj: Kosova është gati për liberalizimin e vizave
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj takoi sot delegacionin e BE-së për vlerësim të progresit në fushën e sundimit të ligjit, të udhëhequr nga Simon Mordue, zëvendës drejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.
Lajme
Kryeministri Haradinaj paraqiti të arriturat e Qeverisë në sundim të ligjit, respektivisht përmbushjen e të gjitha kritereve në fushën legjislative, ku theksoi punën e cila është bërë në procesimin e ligjeve të nevojshme të pakos për sundim të ligjit, siç janë ai për parandalimin e konfliktit të interesit, prokurorinë e shtetit, azilin dhe të huajt, financimin e partive politike etj, dhe projektligjet e fushës së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç janë Ligji i Agjencisë Kundër Korrupsion, deklarimin e aseteve, mbrojtjen e informatorëve dhe autorizimeve të shtuara për konfiskim.
Kryeministri Haradinaj theksoi se me takimet e nivelit të lartë që mbahen nën patronatin e Kryeministrit është rritur llogaridhënia e institucioneve relevante.
“Në fushën e sigurisë Kosova ka shënuar sukses dhe mekanizmat e sigurisë tash janë më të fokusuara dhe më llogaridhënëse. Me të marrë Raportin e Progresit, Qeveria ka zhvilluar Planin e Veprimit për të adresuar sfidat e përmendura në Raportin e Komisionit Evropian 2018 në mënyrë specifike dhe të saktë. Kosova gjithashtu ka bërë progres në transparencë duke i publikuar kontratat publike dhe duke u përgjigjur në të gjitha kërkesat për qasje në dokumentet zyrtare. Prioritet mbeten politikat e llogaridhënies, efektivitetit institucional dhe transparencës”, shtoi Kryeministri Haradinaj.
Kosova ka punuar shumë në përmbushjen e kritereve dhe është e përkushtuar që të adresojë me sukses sfidat e mbetura.
Kryeministri potencoi se Kosova është gati për liberalizimin e vizave./Lajmi.net/