Rrëfimi i gazetarit Fazliu: Oliveri është vrarë nga ata me të cilët vriste shqiptarë

Më 2001, gazetari Bashkim Fazliu kishte shkuar, në cilësinë e gazetarit për edicionin serb, në kanalin e dytë të Radio Kosovës, Radio Blue Sky, të përcillte një protestë në veri të Mitrovicës. Ndërkohë, ai dhe kolegu i tij ishin sulmuar nga “Rojet e Urës”, një formacion ilegal i drejtuar nga vetë Oliver Ivanoviqi. Fazliu ishte rrahur rëndë (edhe pse mbante një kartë identifikimi me emër serb, për ta pasur më të lehtë punën) dhe kishte shpëtuar vetëm falë intervenimit të KFOR-it në momentin e fundit

Lajme

19/01/2018 16:16

Bashkim Fazliu, me anë të një shkrimi, ka rrëfyer eksperiencën e tij në vitin 2001, në Veri të Mitrovicës, ku për pak kishte shpëtuar nga duart e bandës së Oliver Ivanoviqit. Fazliu ka treguar se terrori që po përjetohej gjatë dhe pas luftës në Veri ishte kryekëput produkt i bandave kriminale që kishte udhëhequr Oliveri, që tani pas vrasjes po cilësohet si politikan i moderuar dhe bashkëpunues me shqiptarët.

Autori i këtij teksti ishte gazetar. Në vitin 2001 kishte rastisur të bjerë në duart e pamëshirshme të “Rojave të Urës”, të cilat i drejtonte Oliveri. Sipas Fazliut, Oliver Ivanoviq u vra nga bandat që vetë ai i kishte drejtuar dhe nga të cilat kishin mbetur plot viktima.

Ky është shkrimi i plotë i Bashkim Fazliut, i publikur në Facebook:

Do ta shkruaj këtë në gjuhen angleze, kështu që miqtë e mi në Kosovë dhe në Serbi mund ta lexojnë dhe ta kuptojnë eksperiencën time personale për diçka që për pak më vrau mua dhe që shumë vjet më pas vrau një person, funerali i së cilit gjendet sot në Beograd.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, unë isha rrahur keq nga fraksioni i Oliver Ivanovicit, personit që u vra para dy ditëve në Mitrovicë dhe po varroset sot në Beograd. Më vjen keq për vdekjen e tij dhe dua që ky rast të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, si dhe dua që ata që e kanë kryer këtë vrasje të arrestohen. Është shokuese që një njeri, një politikan është vrarë në një atentat politik dhe/ose kriminal. Kjo është e tmerrshme dhe duhet të kemi përgjigje sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, a ishte ai një “njëri i mirë”, “politikan modern”, “modernist i arsyeshëm”? Për mendimin tim dhe duke u bazuar në përvojën time personale, ai nuk ishte. Ishte lider i një fraksioni paramilitar gjatë dhe pas luftës. Në vitin 2001, unë isha duke punuar si gazetar për edicionin serb, në kanalin e dytë të Radio Kosovës, Radio Blue Sky. Përderisa po kryeja punën time, duke raportuar për një protestë në Mitrovicë në anën veriore të urës, kolegu im, korrespondent të radios së Mitrovicës dhe unë u sulmuam nga “Rojat e Urës”, një grup paramilitar që e kontrollonte Veriun e Mitrovicës për shumë kohë. Një nga liderët e këtij grupi ishte Oliver Ivanovic. Pasi që po punoja për edicionin e Serbisë në radio, unë kisha një kartë identifikimi të rrejshme. Emri im i rrejshëm ishte Danijel Ivanovic (shpresoja që duke e bartur këtë mbiemër do të ishte më e lehtë të kryeja punën time, pasi që përkonte me Oliverin). Meqë ata mendonin se unë isha serb, së pari sulmuan Enver Bajramin, i cili më vonë u bë redaktor në RTK. Duke e rrahur atë, provuan që ta fusin në një makinë, Opel Vectra e kuqe, që u shfaq papritmas 10 metra larg urës qendrore. Diçka ndodhi me kokën time dhe vendosa që të hidhem në turmë, shtyva një nga banditët, ndërsa tjetrin e mbajta, derisa Enveri arriti të ikte në drejtim të pikës kontrolluese të KFOR’it francez në urë, të cilët nuk donin ose nuk guxonin të na ndihmonin, edhe pse gjithçka ndodhte para hundëve të tyre. Enveri thotë se unë i kisha shpëtuar jetën, sepse kur njerëzit i fusnin në veturë ose i kidnaponin në atë kohë, normalisht se do të gjendeshe i vdekur më vonë.

Mbaj mend që pasi Enveri iku, banditët më rrethuan mua, kështu që nuk mund të ikja. Morën shufra të hekurit dhe më rrahën derisa humba ndjenjat duke më thënë “Ti po e mbron shqiptarin”. Në fund, siç më kanë treguar, ushtarët e NATO’s më morën dhe banditët kaluan rrugën dhe kjo më shpëtoi jetën dhe më pas më kishin dërgua në spitalin ushtarak afër Vushtrrisë.

Ky regjim i frikës dhe dhunës që Oliver Ivanovic e kishte ndihmuar formimin e tyre ekziston akoma në pjesën veriore të Kosovës. Oliveri vdiq në një ambient që vetë e kishte ushqyer. Ai është viktimë e një regjimi, pjesë e të cilit ishte vetë. Ai po ashtu ka qenë pjesë e Partisë Socialiste të Serbisë të drejtuar nga Slobodan Milloshevic. Ivanovic ka qenë pjesëmarrës i të gjitha politikave të zbatuara në Kosovë para, gjatë dhe pas luftës, duke qenë politikisht dhe ushtarakisht aktiv. Ndiej keqardhje se si e kishte çuar ai jetën e tij. Ndiej keqardhje për të gjitha viktimat e politikës ku ai bënte pjesë dhe viktimave të fraksioneve që ai i kishte drejtuar. E gjithë kjo iu kthye dhe e vrau edhe Oliverin po ashtu. Tragjedi e madhe që ajo ideologji dhe ajo urrejtje akoma po merr jetë të njerëzve. Pusho në paqe Oliver, ashtu siç e meriton, si një qenie njerëzore. Shumë keq që vrasësit e tu dhe ti nuk do të jepni përgjegjësi për atë që e keni bërë. Me shpresë që ti je viktima e fundit e parimit të çmendur që keni pasur.