Pallaska: Vota e Shqipërisë kundër SHBA’së, akt i hapur armiqësie

Analisti i njohur, Dastid Pallaska ka reaguar kundrejt Shqipërisë e cila ka votuar kundër SHBA-së në OKB përkitazi me statusin e Jerusalemit. Sipas tij, Shqipëria apo Kosova anjëherë nuk duhet të votojnë kundër Amerikës.

Lajme

21/12/2017 23:15

Pallaska konsideron se duke marrë parasysh kontributin e pazavendësueshëm të SHBA-ve për Shqipërinë dhe Kosovën, vota e Shqipërisë kundër Amerikës është jo vetëm mungesë mirënjohje por edhe akt i hapur armiqësie.

Qëndrimi antiamerikan i qeverisë së Edi Ramës ka tronditur Kosovën, shtetin më proamerikan në botë. Pas vendimit të Tiranës ka reaguar edhe vetë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ka thënë se Kosova do të ishte rreshtuar krah Amerikës, në çdo rrethanë.  Reagime ka pasur edhe nga njerëz të fushave të ndryshme në Kosovë

Shkrimi i plotë i Pallaskës në Facebook:

Më shokuese se vota e Shqipërisë kundër SHBA-ve në OKB është befasia e disave me këtë veprim të pamatur të Kryeministrit të Shqipërisë që e cenon rëndë aleancën strategjike që shqiptarët, në të dy anët e kufirit, mundohen ta ndërtojnë me Amerikën.

Nuk pritet asgjë më shumë nga një egzibicionist politik që pushtetin e shfrytëzon për të kompensuar mungesat personale.

Përkundër që edhe personalisht nuk pajtohem me vendimin e SHBA-ve, Shqipëria dhe/apo Kosova asnjëherë nuk duhet të votojnë kundër Amerikës.

Duke marrë parasysh kontributin e pazavendësueshëm të SHBA-ve për Shqipërinë dhe Kosovën, vota e Shqipërisë kundër Amerikës është jo vetëm mungesë mirënjohje por edhe akt i hapur armiqësie. Sidomos pasi që Shqipëria ka pasur mundësi të abstenoj, siç bënë shumë vende të Bashkimit Evropian.

Shpresoj që për këtë votë kundër Amerikës të pësoj vetëm pushteti aktual në Shqipëri dhe jo gjithë shqiptarët.