Reagon ARKEP: Raportimet lidhur me ankesat e IPKO-s janë të pavërteta

Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka sqaruar opinionin publik se ka qenë dhe mbetet i përkushtuar në vazhdimësi për rregullimin e tregut të komunikimeve elektronike mbi bazën e parimeve themelore, të cilat garantojnë konkurrencë efektive në mes operatorëve, transparencë, mosdiskriminim dhe para së gjithash mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve.

 



Lajme

21/12/2017 16:32

Përmes një njoftimi për media, ARKEP thekson se pretendimet e ngritura përmes disa shkrimeve të publikuara në media elektronike në lidhje me ankesat e operatorit të komunikimeve elektronike IPKO telecommunications LLC për siç thuhet “keqmenaxhimin e tregut të komunikimeve elektronike” janë të pavërteta, të paqëndrueshme dhe të pabazuara në argumente.

Ankesa e vetme të operatorit IPKO drejtuar deri më tani me shkrim në ARKEP kanë qenë në lidhje me pagesat që kjo ndërmarrje bën për përdorim të resurseve frekuencore.

Dëshirojmë të njoftojmë opinionin publik që të gjitha pagesat e të gjithë operatorëve për shfrytëzim të resurseve frekencore bëhen drejtpërdrejt në buxhetin e Republikës së Kosovës, ndërsa ARKEP është i vetmi institucion shtetëror, që në mënyrë të pavarur në bazë të ligjit, përcakton lartësinë e këtyre pagesave.

Çmimet e pagesave të përdorimit të frekuencave dhe mbikëqyrjes së frekuencave janë të njëjta për të gjithë operatorët e komunikimeve elektronike dhe nuk ka pasur asnjëherë, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë diskriminim të operatorëve në këtë drejtim.

Metodologjia e aplikuar për vlerësimin e brezeve frekuencore nga ARKEP e aprovuar në vitin 2015 nga Bordi i ARKEP, ka marrë parasyshë një numër të konsiderueshëm të faktorëve, ku të gjitha kriteret kanë qenë të matshme. Sidoqoftë, marrë parasyshë objektivat, të cilat i kemi para vetes për shtrirjen dhe zhvillimin e rrjetave brezgjëra të komunikimeve elektronike, ARKEP gjatë vitit 2018 do të bëjë një vlerësim të ri të gjitha brezeve me rëndësi të posaçme ekonomike për të cilën gjë me kohë kemi njoftuar edhe operatorët e komunikimeve elektronike.

Ndërsa, sa i përket pagesave vjetore, gjatë këtij viti ARKEP ka zvogëluar tarifat për resurse numerike në masën 40%, përderisa është në proces të rregullt të rishikimit të tarifave për mbikqyrje të  frekuencave. Në këtë kuadër, shumë shpejt pritet që pas analizimit të komenteve të operatorëve të përcaktohen tarifa të reja, në përputhje me zhvillimet në tregun e telekomunikimeve në Kosovë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Edhe njëherë sigurojmë opinionin publik se ARKEP do të vazhdoj me përpikëri dhe përgjegjësi të plotë që t’i kryej të gjitha detyrat, të cilat dalin nga Ligji bazë Nr.04/L-109 për rregullimin në mënyrë të pavarur të aktiviteteve të komunikimeve elektronike, bazuar në parimin e neutralitetit teknologjik, duke promovuar konkurrencën dhe infrastrukturën efikase për ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike, si dhe garantimin e shërbimeve të duhura dhe të përshtatshme në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Në fund, konsiderojmë që tregu aktual i komunikimeve elektronike në Republikën e Kosovës është mjaft konkurrues dhe atraktiv, si për investitorët, ashtu edhe për nga ofertat që ofrohen për qytetarët përdorues të rrjeteve të komunikimeve elektronike, thuhet në fund të njoftimit. /Lajmi.net/