McMaster: Duhet kundërshtuar “qasja destabilizuese” e Rusisë
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për siguri kombëtare, H.R. McMaster ka thënë se vendet perëndimore duhet ta kundërshtojnë “qasjen destabilizuese” të Rusisë, duke thënë se Moska është duke zbatuar “një fushatë të sofistikuar për të minuar shoqëritë e lira”.
Bota
Në një intervistë për BBC-në, ai ka thënë se supozimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në Shtetet e Bashkuara përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Ne duhet të shikojmë se çfarë saktësisht është duke bërë Rusia. Natyrisht se duhet ta kundërshtojmë qasjen destabilizuese me fushata të sofistikuara të propagandës dhe dezinfomimit, në përpjekje të polarizimit të komuniteteve dhe nxitjes kundër njëra-tjetres, kryesisht në botën demokratike dhe shoqëritë e hapura’.
Këshilltari i Trumpit ka thënë se fushata ruse kishte cak të dy palët e fushës politike gjatë zgjedhjeve presidenciale më 2016 në SHBA.
“Ata do të mbështesin grupet e majta, ata do të përkrahin edhe grupet e të djathës ekstreme”, ka thënë ai.
“Çka ata duan është krijimi tensioneve, i cili minon vetëbesimin tonë për atë se kush jemi”, ka shtuar McMaster.
Rusia e mohon të ketë ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, pavarësisht asaj se Inteligjenca amerikane ka thënë se ka të dhëna të mjaftueshme.
Gjatë ditës së sotme, Kremlini e ka dënuar strategjinë e re të presidentit amerikan, Donald Trump, duke thënë se Rusia nuk e pranon që “shteti të cilësohet si kërcënim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara”.