A ishin këto zgjedhjet më dramatike ndonjëherë në Kosovë?

Zgjedhjet lokale në Kosovë u përmbyllën sot, përderisa qytetarët zgjodhën kryetarët e komunave të cilit do t’i qeverisin për katër vitet e ardhshme.

Lajme

19/11/2017 23:11

 

Përkundër se numërimi i votave të rregullta ka përfunduar në disa komuna ende nuk po dihet se kush është kryetar.

Në Prishtinë, Arban Abrashi dhe Shpend Ahmeti kanë një diferencë prej 307 votave pas përfundimit të numërimit. E kur dihet se mbi 1 mijë e 500 vota janë me kusht, atëherë është e hapur mundësia e ndonjë përmbysje, shkruan lajmi.net

Garë e ashpër u zhvillua edhe në Prizren, atje deri në momentin e fundit ka qenë rezultati i barabartë, kurse tash kryeson Mytaher Haskuka.

Kandidati i VV-së ka vetëm 328 vota më shumë se Shaqir Totaj i PDK-së, duke e bërë garën dramatike deri në momentet e fundit.

Edhe në Rahovec u zhvillua një garë e ashpër. Atje aktualisht kryeson Smajl Latifi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Dallimi i tij me Idriz Vehapin e PDK-së është vetëm 286 vota.

Garë pak a shumë e njejtë është zhvilluar edhe në Istog, ku Haki Rugova ka fituar mbi 9 mijë e 200 vota, duke e lënë prapa Gani Dreshajn e AAK-së.

Dallimi ndërmjet dy kandidatëve është 671 vota.

Duke i shikuar këto rezultate, atëherë lirisht mund të thuhet se këto zgjedhje kanë qenë më dramatiket që janë zhvilluar ndonjëherë në Kosovë. /Lajmi.net/