Hoxha takohet në Bruksel me komisionerin Hahn, merr mbështetje për perspektivën evropiane

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar Johanes Hahn, komisionar për zgjerim i Bashkimit Evropian, me ç‘rast ka diskutuar për agjendën integruese të Kosovës.

Lajme

23/10/2017 13:34

Hoxha ka theksuar përparimin e bërë në shumë fusha, që nga sundimi i ligjit, zhvillimi ekonomik dhe fqinjësia e mirë.

Ajo ka kërkuar përkrahje nga Hahn veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik me theks të veçantë ndihmën për ndërmarrësit e rinj që do të ndikonte në shtimin e vendeve të punës.

“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është sukses yni i përbashkët, andaj, konsiderojmë se procesi do përshpejtuar për të vënë në fokus, përmbushjen e reformave adekuate dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përmbush obligimet e MSA-së”.

Ministrja Hoxha po ashtu ka theksuar rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.

Komisionari për zgjerim, Johanes Hahn, ka ritheksuar qëndrimin për perspektivën evropiane të Kosovës.

Ai me këtë rast ka potencuar rëndësinë e inplementimit të Agjendës Evropiane të Reformave dhe zbatimit të MSA.

Hahn konfirmoi mbështetjen për Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane si dhe mbështetjen për ministren Hoxha në përpjekjet për të dinamizuar procesin integrues.

Hoxha po qëndron në Bruksel për vizitë zyrtare dhe do të zhvilloj takime gjatë kësja jave me përfaqësueses të BE-së, raporton Ekonomia Online.