Haskuka: PAN ka mbetur i vetëm, Qeverinë e formon Vetëvendosje me LAA-në

Lëvizja Vetëvendosje beson që koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar Qeverinë.

Lajme

28/07/2017 15:20

Zyrtarët të kësaj partie vlerësojnë se më 11 qershor qytetarët kanë treguar se duan një qeveri pa PDK-në.

Deputeti i zgjedhur i kësaj i VV-së, Mytaher Haskuka, në një intervistë për lajmi.net ka thënë se PAN-i ka mbetur i vetëm, por në Kuvend sipas tij, ka një shumicë që mund t’i formojë institucionet.

Haskuka ka folur edhe për bisedimet me LDK-në, ku sipas tij, është duke u punuar për harmonizimin e programeve. Ai ka lënë të kuptohet se kjo parti nuk do të lëshojë pe për postin e kryeministrit duke u shprehur se “për të pasur një qeveri llogaridhënëse duhet që Albin Kurti të jetë kryeministër”, ka thënë Haskuka.

Lajmi.net: A ishte dashur që presidenti Thaçi ta thërras më herët seancën konstituive? Koalicioni PDK-AAK-Nisma vazhdimisht janë deklaruar se kanë numrat për formimin e qeverisë, por që nuk e kanë dëshmuar këtë. A besoni se ata kanë numrat?

Haskuka: Vonesa ne caktimin e seancës plenare është e paarsyeshme dhe caktimi me 3 gusht, dy muaj mbas përfundimit të zgjedhjeve tregon që presidenti Thaçii është munduar të blej kohë për koalicionin PAN për ti bërë numrat gjë që po shihet që pa sukses, pra edhe sot PAN nuk i ka numrat për të votuar kryeparlamentarin dhe qeverinë, por në Kuvend ka një shumicë që mund ti formojë institucionet.

Lajmi.net: Janë zhvilluar disa takime mes zyrtarëve të VV-së dhe LDK-së deri më tani. A mund ta thoni se a ka gjasë për ndonjë marrëveshje?

Haskuka: Qytetarët me 11 qershor kanë treguar që duan një qeverisje ndryshe ku PDK shkon në opozitë dhe një qeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje! dhe kryeministër Albin Kurtin dhe besoj që edhe LAA ka marrë këtë mesazh prandaj ne kemi takime për krijimin e qeverisë. Deri më tani janë mbajtur dy takime ku është diskutuar mi hapat që duhet të ndërmarrim, fillimisht në harmonizimin e programeve.

Lajmi.net: Cila është pika ku keni dallime më të mëdha?

Haskuka: Unë personalisht nuk kam qenë në këto takime prandaj nuk mund të them shumë për këtë pikë. Sigurisht dallime ka sepse jemi dy subjekte të ndryshme, por ajo që është shumë e rëndësishme është që të punohet në përafrimin e pikave programore dhe të angazhohemi me gjithë kapacitetin që PDK-ja të mbetet opozitë dhe vendi të çlirohet nga “Pronto”.

Lajmi.net: A do të bëjë Vetëvendosje kompromis për postin e kryeministrit?

Haskuka: E thashë që në takimet e para diskutimi është fokusuar tek hapat për harmonizimin e programeve. Pra, është shumë e rëndësishme që marrëveshjet për koalicione të fillojnë me diskutim mbi programe e jo për poste. Sa i përket posti të kryeministrit, mendoj që parlamenti duhet të respektojë votën e qytetarëve. Në zgjedhjet e fundit kanë qenë tre kandidatë për kryeministër dhe nga këta tre kandidatë z.Albin Kurti ka marrë dyfish më shumë vota se kandidatët tjerë prandaj për të pasur një qeveri llogaridhënëse duhet që Albin Kurti të jetë kryeministër.

Lajmi.net: Nëse koalicioni PAN nuk arrin ta formojë Qeverinë, a besoni ju se do të arrini t’i siguroni votat e mjaftueshme?

Haskuka: Po unë mendoj që në Kosovë nuk ka krizë institucionale, por në krizë është klani “Pronto”. Në Kuvendin e Kosovës do të ketë një shumicë e cila mund të formojë institucionet dhe kjo është Lëvizja Vetëvendosje! dhe koalicioni LAA. PAN ka ngelur i vetmuar./Lajmi.net/