Albin Kurti dhe tre deputetë të Vetëvendosjes nuk regjistrohen për seancën konstituive

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, Liburin Aliu, Shqipe Pantina dhe Faton Topalli, nuk kanë bërë akoma regjistrimin e tyre.

Lajme

28/07/2017 15:13

Përmes një postimi në llogarinë e tij në facebook, zëdhënësi i VV-së Shkodran Hoti ka njoftuar për këtë, duke mos e treguar arsyen pse ata nuk e kanë bërë regjistrimin.

Ai ka treguar se “ata do ta bëjnë regjistrimin e nevojshëm javën e ardhshme para seancës konstituive dhe kjo nuk paraqet asnjë pengesë procedurale”.

“Regjistrimi i deputetit është një veprim administrativ për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm për administratën e Kuvendit ku përfshihen: kopja e kartelës bankare, kopja e letërnjoftimit, adresa e vendbanimit dhe CV’ja”, ka shkruar Hoti në facebook.

Ai ka shtuar se “këto dokumente mund të dorëzohen në Administratën e Kuvendit në çdo kohë të përshtatshme për deputetin”.