Fond i Kombeve të Bashkuara për romë, ashkalinj e egjipta
Kombet e Bashkuara njoftuan se do të krijojnë një fond ndihme për romë, ashkalinj e egjiptas në Kosovë.
Lajme
Kombet e Bashkuara do të krijojnë fond ndihme për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit që u helmuan me plumb pas transferimit të tyre në kampet e zhvendosjes në pjesën veriore të Kosovës.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres do të krijojë fond për t’i përkrahur këto komunitete, në mënyrë që të sigurojë ndihmën e nevojshme për ta.
Ky fond do të financojë projekte të ndihmës me prioritet në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe Leposaviq, por do të përfitojnë edhe komunitetet rome, ashkalinje dhe egjiptase në pjesë të tjera të Kosovës.
“Projektet e asistencës do të fokusohen për nevojat më të ngutshme të komuniteteve më të prekura, duke përfshirë shërbimet shëndetësore, zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën”, ka thënë Stéphane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së.
Guterres njëkohësisht i ka dhënë mirënjohje punës së Panelit Këshillëdhënës për të Drejta të Njeriut i cili ka hetuar dyshimet se UNMIK në Kosovë ka shkelur të drejtat e njeriut.
“Në mesin e rasteve të shqyrtuara nga Paneli Këshillëdhënës për të Drejtat e Njeriut, i cili shqyrtoi shkeljet e pretenduara të të drejtave nga ana e Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ankesa e parashtruar nga 138 persona nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas, të cilët vuajtën nga helmimi me plumb dhe pasoja tjera të rënda shëndetësore, si pasojë e zhvendosjes së tyre në kampet në pjesën veriore të Kosovës’”, thuhet në komunikatën e Kombeve të Bashkuara./Kallxo.com