Presidenti Trump arrin në Bruksel

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka arritur në Bruksel, ku pritet të marrë pjesë në samitin e NATO-s. Në këtë takim ai pritet të kërkojë nga anëtarët e aleancës që të përmbushin obligimet e tyre të shpenzimeve për mbrojtje dhe të bëjnë më shumë në luftën kundër terrorizmit.

Bota

24/05/2017 18:28

Lufta kundër terrorizmit do të jetë tema kryesore në takimin e 25 majit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson u ka thënë gazetarëve se presidenti dëshiron që anëtarët e NATO-s “të bëjnë më shumë për të përmbushur obligimet e tyre” në shpenzimin e 2 për qind të GDP-së në mbrojtje.

“Besoj se mund të presim që presidenti të jetë i vështirë ndaj tyre duke iu thënë: Shikoni, SHBA shpenzon 4 për qind. Ne po bëjmë shumë. Populli amerikan është duke bërë shumë për sigurinë tuaj dhe për sigurinë tonë të përbashkët. Ju duhet të siguroheni që edhe ju të përmbushni obligimet tuaja”, ka thënë Tillerson.

“Ky besoj se do të jetë mesazhi i tij kryesor për NATO-n”, ka thënë tutje Sekretari Tillerson.

Pas takimit me anëtarët e NATO-s, Trump do të niset për në Sicili, ku do të marrë pjesë në samitin e G7-ës.