Trajneri i Prishtinës shqelmon futbollistin 14-vjeçar të skuadrës kundërshtare (FOTO)

Ndeshja e Ligës Rajonale të Prishtinës në futboll, ndërmjet ekipeve të grupmoshës 15-vjeçare “2 korriku” dhe FC Prishtina, të shtunën përfundoi me sulmin e trajnerit Ali Osmani ndaj lojtarit 14-vjeçar të “2 Korrikut”, L.B.

Sport

23/05/2017 21:01

Trajneri i “2 Korrikut”, Mustafë Pronaj e pranoi se pas rezultatit 1:1, lojtarët ishin përleshur me njëri tjetrit kurse Ali Osmani e ka sulmuar me këmbë në gjoks lojtarin e tij, i cili  ka qenë i shtrirë për toke.

Sipas Pronajt, lojtari 14-vjeçar kishte mbetur për disa minuta pa ndjenja, ndërsa ka kërkuar ndihmë në QKUK.

“Lojtari jonë pasi është sulmu me këmbë në gjoks nga trajneri Ali Osmani ka pasur probleme me frymëmarrje dhe nuk ka qenë në gjendje të qëndrojë në këmbë, derisa ka kërkuar ndihmë në QKUK”, tha ai.

Trajneri i skuadrës U-15 të “2 Korrikut” konfirmon se gjendja mjekësore e 14-vjeçarit është e mirë, tashmë.

“Tash gjendja shëndetësore e lojtarit është e mirë, pasi fatmirësisht nuk ka pasur të thyer asgjë”, tha Pronaj.

E trajneri i Prishtinës U-15, Ali Osmani, i cili akuzohet se sulmoi 14-vjeçarin, e ka pohuar sulmin ndaj L.B. Ka thënë se nuk e ka pasur ndonjë qëllim të keq ndaj 14-vjeçarit.

“Unë e kam shkelë atë fëmijën, nuk e mohojë atë që e kam shkelë me qëllim, por në atë moment kam rrëshqit duke i ngreh fëmijët dhe e kam qit pak kamën kështu. Po jo edhe ashtu që e kam lënë pa ndjenja, sepse ai djali ka qenë shtrirë kur kam hyrë unë aty”, ka thënë Osmani për Insajderin.

Sipas Osmanit, gjatë përleshjes mes futbollistëve të mitur të “2 Korrikut” dhe Prishtinës, L.B kishte qenë i shtrirë në momentin që ai kishte mbërritur në turmën me futbollistë.

“E kam cekur edhe tek kryetari i tyre. Faktikisht e kam shkelur atë fëmijën pak. Momentin që kam hi ai fëmija ka qenë shtritë. Edhe i kam ndarë fëmijët se kanë qenë duke sjellë në të. E unë e kam qëllimin me familjen e fëmijës më u pajtu e me i kry disa hesape”, ka thënë Osmani.

Trajneri i Shkollës së Futbollit Prishtina ka mohuar ta ketë lënë pa ndjenja 14-vjeçarin e skuadrës kundërshtare.

“Nuk është e vërtetë. Djali është çua në këmbë ka ecë, normal. Unë do të ulem do të diskutojë me familjen e djalit, dhe do të dalë me një komunikatë”, ka treguar Osmani.

Me rregullat e futbollit, trajnerit të një skuadre futbolli nuk i lejohet të futet brenda fushave të lojës. Por, Osmani ka thyer edhe këtë rregull për t’u përfshirë në përleshje.

E trajneri i “2 Korrikut” U-15, Mustafë Pronaj tha se lidhur me këtë rast është duke përgatitur raportin që do ta dorëzojë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Edhe policia e Kosovës është njoftuar me këtë rast.