Favoret e komunës së Istogut për kompaninë e kryetarit Rugova

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale. Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

Lajme

06/05/2017 16:25

Kryetari i Komunës së Istogut Haki Rugova bashkë me vëllezërit e tij, në vitin 2003-2004 me kompaninë e tyre “Macon”, kishin ndërtuar një objekt shtatëkatësh në pronën komunale. Sipas të dhënave në kohën kur Komuna e Istogut dha leje të rrënoheshin dy objektet ekzistuese dhe të ndërtohej objekti shtatëkatësh, Haki Rugova mbante pozitën e kryeshefit ekzekutiv në Komunën e Istogut. Kryeshefi ekzekutiv i Komunës në atë kohë kishte kompetenca të gjera.

Siç transmetoi emisioni “Drejtësia në Kosovë”, edhe pse objekti i familjes Rugova është ndërtuar në pronën e komunës, komuna aty nuk e ka në pronësi asnjë banesë.

Përveç ndërtimit në tokën e komunës, kompania “Macon”, pronë e vëllezërve Rugova ka marrë edhe disa tenderë në komunën e cila që nga viti 2010 qeveriset nga Haki Rugova.

“Drejtësia në Kosovë” ka gjetur se kryetari Haki Rugova në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për gjashtë vjet ka deklaruar se ka aksione në kompaninë “Macon”, së cilës i ka dhënë tender që arrin vlerën e qindra mijëra eurove.

“Unë nuk jam pronar në ‘Macon’, s`kam asnjë aksion, prej momentit që kam kandiduar si kryetar komune, unë s`kam aksione”, ka deklaruar Rugova.

Kur ai është pyetur se aksionet e tij në këtë kompani edhe pasi e ka pranuar detyrën e kryetarit, pra pas vitit 2010 i ka të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion, ai sërish e ka mohuar.

Kur është ballafaquar me dëshmi se ai në formularët në AKK figuron aksionar i 15 % të aksioneve, Rugova e ka bërë fajtor AKK-në. Në fakt, ai në deklarimin e vitit 2016 ka shkruar se këto aksione i ka që nga viti 2000.

“Shans s`ka, tashti ajo punë nuk po më kujtohet, por unë nuk kam pasur, nuk kam kurrfarë të hyra nga kjo kompani për vite të tëra. Të dhënat në antikorrupsion sigurisht që unë vetë i deklaroj, por s`jam aksionar në kompani. Mund të shihet në Administratë Tatimore lirisht se kush janë pronarët, aty janë dy bashkëpronarë, nuk ka të tretë. Ka vite që nuk jam. Ajo mund të me ketë rrëshqitur prej atyre deklarimeve të mëhershme që i kam bërë”, ka deklaruar ai.

Vëllai i kryetarit të Komunës së Istogut Ganiu, thotë se pronar në “Macon” nuk është Haki Rugova. Megjithatë, ai ka thënë se ndodh që do t’ia japë edhe 20 për qind të aksioneve të kësaj kompanie kryetarit të Komunës së Istogut.

“Në dokumentacionin e firmës, firma është e përbërë prej dy pjesëtarëve, jam unë edhe është Ismeti, Hakia nuk figuron si bashkëpronar i firmës. Aksionet çka ka, çka i jap unë vëllait tim- ajo është çështje imja. Bën vaki edhe më shumë i jap, jo 15 por 20 për qind, sepse e kam vëlla”, ka deklaruar Gani Rugova, vëllai i kryetarit .

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, kryetari Haki Rugova e pranon se objekti nga firma e familjes së tij “Macon” është i ndërtuar në pronën komunale. Por ai ka deklaruar se para se të ndërtohej ai objekt, kompania “Macon” kishte blerë mbi 50 % të dy objekteve ekzistuese nga pronarët legjitimë. Po ashtu thotë se në atë kohë ishte marrë pëlqimi nga pronarët dhe leja në komunë për rrënimin e tyre e pastaj leja për ndërtimin e objekti shtatëkatësh në pronë të komunës.

“Kanë pas mundësi me e ble, biznes është ajo e kanë ble edhe ka funksionuar, nuk është i vetmi rast ai, ka edhe plot raste tjera. Fillimisht është marrë leja për rrënimin e tyre, pastaj leja e ndërtimit. Ato objekte janë blerë, toka nuk është blerë se toka është komunale”, ka thënë Rugova.

Ai nuk ka dhënë përgjigje kur është pyetur se sa ka qenë sipërfaqja e objekteve të vjetra që janë rrënuar për t`i hapur rrugë ndërtimit të objektit shumëkatësh nga firma ku ishte aksionar.

“Nuk e di sa ka qenë hapësira, as tash nuk e di sa është hapësira e objektit të ri, është diçka që mund të verifikohet”, ka thënë ai.

Ndërsa vëllai i tij Gani Rugova ka thënë se në vitin 2003 u ka ndihmuar edhe Komuna e Istogut për të marrë lejen për rrënimin, e pastaj ndërtimin e objektit shtatëkatësh në pronën komunale.

“Një pjesë të atyre banesave i kemi blerë, një pjesë tjetër ua kemi kompensuar pronarëve me kontrata me marrëveshje me pëlqimin e dyja palëve. Normal na ka ndihmuar edhe komuna në aspektin, në mundësitë e tyre çfarë i kanë pasur në atë kohë”, ka deklaruar Rugova.