Publikohet letra që terroristi i Parisit i kishte shkruar nënës së tij
“Mami më fal që të kam lënë”. Kështu i shkruan nënës së tij Salah Abdeslam, i mbijetuari i vetëm nga grupi i terroristëve që goditën Parisin mbrëmjen e 13 nëntorit 2015. Letra është gjetur në banesën e tij në lagjen “Forest” të Brukselit me 15 mars 2016.
Bota
Nga përmbajtja e letrës kuptohet se ai ishte i vendosur për tu vetëflijuar në emër të xhihadit, çka kundërshtohej nga e ëma.
Dokumentet të cilat iu dërguan autoriteteve franceze nga policia belge janë publikuar nga e përjavshmja Le Point.
Në gjuhën frënge jo të saktë dhe plot gabime ortografike, terroristi i shkroi nënës së tij, por edhe motrës së vogël dhe të fejuarës.
Sipas hetuesve, letra e Salah Abdeslam dërguar nënës së tij është një justifikim klasik sesi një individ i radikalizuar përpiqet tu shpjegojë të dashurve të tij se ka zgjedhur të ndjekë rrugën e Zotit.
Shpjegimet janë konfuze, të paarsyeshme dhe pa substancë.
Abdeslam aktualisht ndodhet në një qeli të burgut të sigurisë së lartë në Fleury-Mérogis, burgu më i madh në Evropë që ndodhet në jug të Parisit.
Deri tani ai ka preferuar të heshtë mbi ngjarjen terroriste.