Shpend Ahmeti diskriminon punëtorët (Dokument)

Komuna e Prishtinës që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti po i diskriminon punëtorët e komunës lidhur me pagat. Kështu konstaton Avokati i Popullit në një raport të hartuar mbi ankesën e disa zyrtarëve të Komunës se Prishtinës.

Lajme

10/03/2017 13:23

Janë dhjetëra punëtorë të Drejtorisë se Arsimit në këtë komunë që i janë drejtuar me një ankesë Avokatit të Popullit me arsyetimin se për pozitat që mbajnë nuk marrin pagën që u takon sipas ligjit.

Gazeta Fjala ka siguruar raportin me rekomandime të Avokatit të Popullit i cili u jep të drejtë punëtorëve.

Në këtë raport, Avokati i Popullit konstaton se Ministria e Administratës Publike dhe Komuna e Prishtinës, në ketë rast, i kanë diskriminuar punëtorët.

Madje, thuhet se janë shkelur edhe të drejtat dhe liritë themelore të tyre.

“Avokati i Popullit, në bazë të të gjitha dëshmive të paraqitura dhe fakteve të mbledhura, në pajtim me legjislacionin përkatës, konstaton se ka pasur shkelje të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, meqë përgjegjësit në Ministrinë e Administratës Publike, nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të siguruar trajtim të barabartë për të gjithë punonjësit e DKA-ve në Kosovë, sipas pozitës, kualifikimit dhe përgjegjësive të punës, ndërsa përgjegjësit në Komunën e Prishtinës nuk kanë ndërmarr masat e duhura për shqyrtimin e kërkesës së parashtruar dhe për këtë shkak ankuesve ju është mohuar e drejta e shfrytëzimit të mjeteve efikase juridike”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit “Mentor Dragusha dhe të tjerët: Në lidhje me trajtimin e pabarabartë në caktimin e koeficientit të pagës për zyrtarët e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë”.

Për Avokatin e Popullit është e papranueshme që një zyrtarë që kryen punën në Komunën e Prishtinës të paguhet më pak në dallim me një zyrtarë që për punën  e njëjtë ka koeficient më të lartë në Komunën e Gjilanit.

“Gjithashtu është e papranueshme që zyrtarët e financave dhe zyrtarët e arsimit në Prishtinë të kenë koeficientin më të vogël se zyrtarët e arsimit dhe të financave të punësuar në DKA në Klinë apo Kamenicë”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Raporti është bazuar në ankesën e zyrtarëve: Arbene Aliu, Ardiana Ismaili, Liridona Preniqi, Hajzer Idrizi, Fatos Osmani, Isa Avdiu, Shiqeri Mustafa, Mentor Dragusha, Arlinda Cakiqi, Nebahate Bejtullahu, Jasmina Omeragiq, Arbër Gashi, Fatlum Osmani, Kadrije Shatri, Nezaqete Qerimi dhe Fatlinda Zuka.