Krasniqi: Dita e shkrimtarëve përkujton gjendjen e tyre të keqe, nuk festohet
Muaji mars shënon disa ditë të veçanta. E sot, është Dita Ndërkombëtare e Shkrimtarëve.
ShowBiz
Kjo ditë për herë të parë është shënuar më 3 mars të vitit 1921, ndërkaq nga viti 1986, ka nisur të festohet nga Kongresi Ndërkombëtar i shoqatës PEN Club, në Londër.
Shoqata kishte për qëllim promovimin e miqësisë dhe mbështetjen intelektuale të shkrimtarëve anembanë botës, të cilët theksojnë rolin e letërsisë botërore dhe lirinë e shprehjes, shkruan lajmi.net.
Shkrimtari dhe publicisti Milazim Krasniqi, tha për lajmi.net se roli i shkrimtarëve në Kosovë është shumë i zbehur, e kjo kryesisht ka filluar pas viteve të 90’ta.
“Roli shkrimtarëve shqiptar në ndërtimin e projektit të pavarësisë sidomos në fund të viteve 80 dhe 90, ka qenë shumë i madh sepse përmes shoqatës së shkrimtarëve të Kosovës, praktikisht u skicua projekti i pavarësimit të Kosovës”.
E pas përfundimit të luftës në Kosovë, Krasniqi tha se roli i shkrimtarëve ka filluar të mos vlerësohet dhe të neglizhohet në mënyrë të dukshme.
“Ky rol ka vazhduar deri në çlirimin e vendit, mirëpo pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999 e deri sot, shoqërisë tonë i kanë ndryshuar shumë prioritetet ashtu që roli i shkrimtarëve ka filluar duke u zbehur dhe sot mund të themi se është një rol totalisht i zbehur”.
Krasniqi thotë se roli i shkrimtarëve në shoqërinë tonë është zbehur shumë, e gjithashtu edhe konsideron se asociacioni i shkrimtarëve është thjesht formal, pasi nuk bëhet asnjë punë për tu vlerësuar shkrimtarët në vendin tonë.
“Asociacionet e shkrimtarëve në Kosovë praktikisht janë formale. Nuk ka stimulime për statusin social të shkrimtarëve, me një fjalë është një injorim i çuditshëm i shkrimtarëve në shoqërinë tonë. Rrjedhimisht edhe letërsia e këtyre viteve nuk ka ushtruar ndonjë ndikim në formimin e vetëdijes qytetare dhe opinionit publik”, tha ai.
As vitin e kaluar, e as këtë vit Dita e Shkrimtarëve nuk do të manifestohet, e madje Krasniqi thotë se është ditë për të përkujtuar gjendjen e tyre të keqe, e jo ditë që festohet.
“Mund të themi se Dita e Shkrimtarëve në Kosovën e sotme është më shumë vetëm një moment për të përkujtuar gjendjen e keqe të shkrimtarëve anembanë Kosovës, se sa një ditë për tu manifestuar”.
Vitin e kaluar lajmi.net ka intervistuar edhe shkrimtarin Albatros Rexhaj, ku gjithashtu ai ka treguar për gjendjen e keqe të vlerësimit të shkrimtarëve në Kosovë.
Ai pati thënë se 3 marsi, Dita e Shkrimtarëve është “Ditë krenarie, por pak kujt i bie ndërmend për ta”. /Lajmi.net/