Rrjeti i Grave të Kosovës thërret protestë kundër femicidit, nesër në Prishtinë

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, e cila do të mbahet nesër, më 25 nëntor, në Prishtinë. Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi…

Lajme

24/11/2026 13:38

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, e cila do të mbahet nesër, më 25 nëntor, në Prishtinë.

Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave, transmeton lajmi.net.

Përmes një komunikate, RrGK ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave.

Organizata ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës, ndaj institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

Ndër kërkesat kryesore të protestës janë ndryshimi i Kodit Penal dhe përcaktimi i femicidit si vepër penale e veçantë, krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.

Po ashtu, RrGK kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit, koordinim më të mirë ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet përgjegjëse.

Në thirrjen e saj, organizata ka theksuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.

RrGK ka ftuar edhe mediat që ta përcjellin protestën, duke theksuar se deklaratat dhe premtimet pas çdo vrasjeje nuk janë të mjaftueshme dhe se nevojiten ndryshime konkrete ligjore e institucionale./lajmi.net/