Angiografi i ri do t’i ulë rastet e udhëzimeve në institucione private

Me ardhjen e angiografit të ri – që pritet të ndodhë pas 4 muajsh – pacientët me sëmundje të zemrës nuk do të kenë më nevojë të trajtohen jashtë institucioneve publike

Lajme

22/02/2017 12:30

Klinikës së Kardiologjisë si duket po i rikthehet pulsi pas ngritjes së aktakuzave nga Prokuroria për disa kardiologë për shpërdorim detyre. Poashtu, koronarografia ka qenë jashtë përdorimit për një kohë pasi aparati ishte jashtë servisimit për shkak të kostos së lartë.

Tash, me rregullimin e aparatit në këtë klinikë të QKUK-së është zgjatur orari i punës për rastet urgjente dhe sipas drejtorit Dr. Basri Sejdiu, po synohet të punohet 24 orë.

“Pas rregullimit të aparatit të koronarografisë është rritur volumi i punës. Prandaj që nga 1 shkurti kemi filluar me 12 orë punë për trajtimin e infarktit akut që s’ka qenë ma herët dhe është rritur numri i kryerjes së procedurave invazive”, deklaron Sejdiu për Gazeta Shneta.

Ai shton se pacientët detyroheshin më herët t’i kryenin këto shërbime nëpër institucione private për ç’gjë, kostoja ishte e lartë për ta dhe për shtetin.

Sejdiu bën të ditur se projekti për sjelljen e angiografit të ri, i cili është blerë me kredi të Austrisë, ka përfunduar dhe se është në fazën e tenderimit nga Ministria e Shëndetësisë për sigurimin e hapësirës.

“Kemi filluar punën për adaptimin e sallës së re për aparatin e ri. Sipas Ministrisë gjithçka do të jetë gati për 3-4 muaj. Ne kemi premtuar dhe do ta realizojmë trajtimin e infarktit akut për 24 orë. Pacientët nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në institucione private”, ka pohuar Sejdiu.

“Kemi kërkuar shtimin e stafit teknik, së paku edhe 5 vetë, për t’u përgatitur për punën me angiografin e ri dhe orarin 24 orësh”.

Drejtori i Kardiologjisë thotë se edhe furnizimi me stenta është i kënaqshëm pasi kontrata kornizë 2 vjeçare po ua mundëson të furnizohen sipas kërkesave.

“Keq jemi me elektro stimulimin pasi po skadon afati i një numri të pajisjeve si elektrodat”, është shprehur Sejdiu.

Udhëzimi që i çoi kardiologët në Prokurori

Udhëzimi Administrativ për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, ishte një nga shkaqet që çoi në Prokurori disa kardiologë. Këta të fundit ishin akuzuar se kanë referuar pacientë për trajtim në institucione private nëpërmjet këtij Udhëzimi, në këmbim të ryshfetit.

“Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor, ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike”, thuhej ndër të tjera në njoftimi e Prokurorisë në viti 2014.

Pas këtij skandali, te stafi i Kardiologjisë janë krijuar paqartësi duke e komplikuar marrjen e vendimit për udhëzim të pacientëve në spitale private. E tash ka filluar puna për ndryshimin dhe plotësimin e këtij udhëzimi në mënyrë që të mos krijohen konflikte.

“Në Kardiologji ka qenë për infarktet akute, sindromat akute koronare dhe kanë qenë disa kritere për t’i plotësuar për udhëzim. Ne kemi kërkuar ndryshimin e këtij udhëzimi që të përkufizohet një patologji më e ngushtë, që të jetë vetëm infarkti akut i dëshmuar me EKG dhe analiza dhe shuma e pagesës që do të bëhej në institucione private që të jetë minimale, e jo si më herët që kanë qenë shuma të mëdha”, ka deklaruar Sejdiu.

Ai shton se çmimi i pagesës për pacientët nëpër spitale private, do të zbritet dukshëm dhe do të paguhet vetëm një stent.

“Është në fazën finale dhe ne kemi propozuar që pacientët do të shkojnë me fletlëshim në ato raste kur nuk punon aparati dhe ka arsye dhe pagesa të bëhet vetëm për një stent dhe jo siç ka ndodhur më herët për disa stenta ku janë paguar shumë të mëdha. Një çmimore që e kam parë për të cilën Ministria është bazuar edhe në rajon, kap shumën prej 1,500 deri 2,000 euro, derisa më herët ka qenë mbi 5,000 euro e 6,000 euro”, ka thënë Sejdiu.

Megjithatë, ky Udhëzim nuk do të hyjë edhe për shumë kohë në punë pasi siç deklaron kryekardiologu, me ardhjen e angiografit të ri pacientët do të trajtohen vetëm në QKUK.

“Me zgjatjen e orarit të punës dhe me rregullimin e orarit, është ulur numri i udhëzimeve. Në fakt, ky Udhëzim nuk do të ekzistojë fare për Kardiologjinë kur të vij angiografi i ri”, është shprehur Sejdiu. /Gazeta Shneta/